
TIRANË- Të gjithë shërbimet hoteliere dhe subjekteve të shërbimit që operojnë në bregdetin shqiptar do të duhet të kenë një qasje krejt të re dhe të standartizuar në lidhje me trajtimin e ujërave të ndotura. Tashmë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përcaktuar standardet e trajtimit të ujërave të ndotura, të cilave duhet ti përmbahen të gjithë operatorët.
Ligji detyron të gjitha këto struktura ashtu sikundër edhe subjektet e reja të pajisura me leje ndërtimi që të instalojnë impiante të trajtimit të ujërave të ndotura. Sipas specifikimit të tij, bëhet fjalë për një lloj teknologjie trajtimi me llumit aktiv.
Sipas ministrisë, ujërat e trajtuara do të depozitohen në një pusetë kontrolli, e cila do të përdoret për marrjen e kampioneve për testet e cilësisë së ujit nga Task Forca. Ndërsa pas trajtimit ujërat do të shkarkohen në rrjetin publik të ujërave të ndotura urbane për t’u dërguar më pas te kolektori ose rrjeti më i afërt.
Ndër të tjera janë parashikuar dhe masat asdministrative për të gjithë ata që nuk përmbushin standartet e kërkuara. Vlera e gjobës është parashikuar nga 1.5 milionë lekë, në 2.65 milionë lekë./ZËRI