
ATHINË – Mediat greke vazhdojnë që të shkruajnë për biznesmenin Kristos Gialias, që u vra përpara disa ditësh dhe që kishte lidhje biznesi edhe me Shqipërinë. Biznesmnei Gialias ruhej nga dikush, sepse gjithmonë lëvizte i shoqëruar. Kjo dëshmon se ka pasur informacione se ndokush mund t’i bënte keq. Gjithashtu, vila ku ai jetonte ishte kthyer si një kështjellë, e survejuar dhe ky detaj duket nuk është pa domethënie. Biznesmeni Gialias kishte shtuar masat e sigurisë për veten, pasi sa duket kishte nuhatur rrezikun.
Shkrimi i mediave greke:
Policia po përpiqet të hetojë ciklin e aktiviteteve biznesore dhe financiare, si dhe lidhjet personale të Kristos Gialias për të arritur deri te motivi i vrasjes së tij dhe më pas te autorët – autorë fizikë apo moralë. Raundi i parë i hetimeve nuk ka ofruar prova të qarta, që mund të drejtojnë hetimet. Profili i viktimës po ndërtohet në mënyrë që rreth tij të fillojnë të vendosen njerëz që do të kishin arsye për të organizuar vrasjen e tij deri në detajin e fundit, siç ndodhi të mërkurën e kaluar, kur Christos Gialias po kthehej në shtëpi.
Deri më tani hetimet po vijojnë, por se nuk ka prova të qarta. Gialias, një biznesmen i shumëanshëm me aktivitete që nga fusha e përpunimit të mishit, standardizimit dhe marketingut e deri te ekipet e pastrimit, në fakt në vitin 2004 ai kishte marrë përsipër pastrimin e ambienteve në Lojërat Olimpike, por edhe të futbollit, mund të kishte armiq në aspektin profesional, të cilët ishin në lëvizje dhe njiheshin. Në këtë kuadër janë kontrolluar raporte të ndryshme, por nuk janë konfirmuar. Një nga skenarët ishte përfshirja e tij në kontrabandën e cigareve, e cila është kthyer në një fushë veprimi të njohur, duke qenë se, sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 20% e cigareve të trafikuara në Greqi janë të paligjshme.
Për Gialian, megjithatë, nuk ka pasur asnjë aktivitet të paligjshëm, ndërsa më parë akuzohej vetëm për armëmbajtje pa leje. Në shtëpinë e tij janë gjetur edhe armë – gjithsej pesë pistoleta– të cilat nuk ishin deklaruar në polici, që besohet se i kishte për sigurinë e tij personale. Autoritetet kërkuan që në orët e para të vrasjes për elementë të mundshëm të përbashkët apo ndonjë lidhje me mafian greke ose grupe kriminale që veprojnë në shtetin helen. Megjithatë, nuk ka dalë absolutisht asnjë provë që e lidh biznesmenin 59-vjeçar me këtë rast. Kështu, tashmë Policia po ecën në drejtimin që motivi i organizatorit të vrasjes të jetë më personal dhe ka të bëjë qoftë me një transaksion financiar, qoftë me një marrëdhënie personale.



Krimi i paramenduar
Gialias, siç dihet deri më tani, po merrte masa për sigurinë e tij personale, ndërsa shtëpia e tij, brenda një pasurie të madhe në shpatet e Kiafës, të kujton një kështjellë, por rruga për në të rezultoi se ishte si thembra e Akilit. Masat ishin marrë, duke qenë se ish-bashkëshortja e tij ishte vrarë në vitin 2018 gjatë një grabitjeje.
Policia beson se vrasësit e dinin se ai nuk ishte i shoqëruar nga sigurimi i tij personal të mërkurën e kaluar dhe shfrytëzuan rastin për t'i zënë pritë në një vend të izoluar gjatë rrugës për në shtëpi, ku nuk ka kamera. Burime policore në dijeni të rastit besojnë se goditja ishte e planifikuar, por lehtësisht e zbatueshme: prita ishte larg qytetit dhe sytë kureshtarë të qytetarëve, që mund të bëheshin dëshmitarë të vlefshëm për hetimin policor, ndërkohë që është e vështirë të përcaktohet në hartë vendngjarja.
“Është ende herët për të nxjerrë ndonjë përfundim. E sigurt është se vrasja ishte e planifikuar paraprakisht, kishte plan relativisht të lehtë për t'u zbatuar. Vendndodhja ishte e shkretë, nuk kishte civilë, viktima nuk kishte mbrojtje dhe vetura e tij nuk ishte e blinduar", vunë në dukje hetuesit.
Sipas autoriteteve, autorët ose janë njohës të mirë të zonës, ose kishin planifikuar dhe hartuar rrugët e arratisjes, qoftë edhe nëpër male, duke shmangur rrugët kryesore, ku mund të regjistroheshin nga kamerat. E gjithë kjo tregon metodikë dhe përgatitje të mirë. Është i frikshëm gjithashtu fakti se brenda tridhjetë sekondave kanë qëlluar dhe vrarë biznesmenin, kanë vënë zjarrin tek makina dhe kanë ikur. Ata nuk rrezikuan të merrnin me vete as armën e krimit, një kallashnikov, të cilën e hodhën në makinën e djegur të viktimës, duke djegur me të çdo provë të mundshme që mund t'i çonte hetuesit tek autorët. Sigurisht që arma është dërguar në laboratorët e Mjekësisë Ligjore për të tentuar kontrollin balistik, ndërkohë që do të hetohet edhe për atë që ka mbetur nga pjesa e brendshme e mjetit.
Një tjetër element që tregon se autorët kishin njohuri të shkëlqyera për zonën, është fakti se pritën e kanë ngritur në një kthesë të rrugës për në shtëpi, në një vend, ku roja që ndodhej në hyrje të pallatit nuk ka pamje vizuale. Vrasësit kanë qëlluar të paktën 18 herë dhe më pas i kanë vënë flakën makinës së viktimës. Policia deri më tani nuk ka zbuluar motivin, nuk ka dëshmitarë të krimit dhe është në kërkim të dëshmive më thelbësore nga ambienti i viktimës - profesional dhe personal - që mund të përdoren për zbardhjen e rastit./ZËRI/