
ITALI- Vdekja e Klodiana Vefës, shqiptares së vrarë nga ish-bashkëshorti i saj në Castelfiorentino të Firences ka pikëlluar përveç familjarëve dhe qindra qytetarë të zonës, miq e bashkëpunëtorë të saj. Kështu në nder të saj është mbajtur një kortezh zie ku qindra njerëz morën pjesë në nderim të saj.
Të pranishëm në marshim ishin dhe djali dhe vajza e saj, të cilët të pikëlluar nga dhimbja vendosën një buxhetë me 37 trëndafila të bardhë në stolin e kuq, simbol i dhunës ndaj grave, në Piazza Gramsci.
I pranishëm në marshim ishte dhe kryebashkiaku i Castelfiorentino, i cili tha se fëmijët e Klodianës nuk do jenë vetëm.
Alessio Falorni: Është epilogu tragjik i kësaj historie të tmerrshme. Më kujtohet mbrëmja e djeshme, për të cilën falenderoj të gjithë, institucionet dhe qytetarët e pranishëm dhe përqafimin që komuniteti i Castelfiorentino mundi t'u jepte fëmijëve dhe familjes së Klodianës.
Në Itali prej 17 vitesh, 35-vjeçarja punonte si kamariere në një restorant të zonës. Mbrëmjen e të enjtes, Alfredi mësohet se kishte shkuar në shtëpinë e gruas dhe mes palëve kishte shpërthyer një zënkë. Më pas Klodiana kishte dalë nga shtëpia. Pikërisht në trotuar, pak metra më tutje u vra me 3 plumba pistolete, një prej të cilëve i mori jetën.
Ata që e gjetën trupin e pajetë të Klodianës në mes të rrugës ishin pikërisht fëmijët, që dolën bashkë me familjarë të tjerë të viktimës, pasi dëgjuan të shtënat. Përveç gëzhojave, në vendngjarje nuk është gjetur as arma e krimit, që besohet se vrasësi e mori me vete teksa u largua me makinë. Armë që e përdori dhe në vetëvrasjen e tij. /Zëri