
TIRANË- U vra në derën e shtëpisë, por Kryekomisari i Policisë Artan Cuku dhe familja e tij, nuk kanë parë ende të vendoset drejtësi edhe pse kanë kaluar gjahtë vite nga ngjarja e rëndë. Në një postim në profiling e saj në Facebook, gazetarja Fatjona Mejdini shkruan se ka pasur një takim miqësor me vëllain e të shpallurit tashmë ‘Dëshmor i Atdheut’, Rakip Cukun, për të cilin shton se është ende në pritje të drejtësisë që shteti shqiptar ia ka borxh ish-funksionarit të lartë. Mejdini përmend dhe faktin që shteti grek ka refuzuar ekstradimin e autorit të vrasjes së kryekomisarit, Bledar Jambelli me motivimin se ai është një Vorio-epiriot dhe anëtar aktiv i pakicës greke në Shqipëri dhe se gjykimi ndaj tij, do të ishte politik dhe me karakter hakmarrës. Sipas gazetares, drejtues të minoritetit grek në Shqipëri kanë pasur rol në mos ekstradimin e këtij krimineli në vendin tonë, ndërsa Ministri i Drejtësisë, por edhe vetë kryeministri Edi Rama, heshtin.
Postimi:
Sot piva një kafe me Rakipin, vëllain e Artan Cukut, Kryekomisarit të Policisë të vrarë për shkak të detyrës në Prill të vitit 2017. Rakipit i dorëzova disa kopje të një publikimi të organizatës ku punoj, ku i ndjeri, tashmë i shpallur “Dëshmor i Atdheut”, është renditur ndër viktimat kryesore të krimit të organizuar nga e gjithë bota. Gjashtë vite e gjysmë nga vrasja, Rakipi dhe familja Cuku janë ende duke pritur Drejtësinë, të cilën shteti shqiptar ia ka borxh ish-funksionarit të lartë të tij. Dhimbja e tyre shtohet çdo ditë e më shumë, kur shohin se gjykatat dhe akoma më shumë politika, kanë fshehur kokën dhe nuk kanë gjetur guximin të bëjnë transparencë dhe ti mëshojnë nevojës për të dhënë drejtësi.
1. Artan Cuku u hodh në rrugë nga Policia e Shtetit dhe u la i vetëm, në kulmin e karrierës së tij profesionale (42 vjec), pasi kishte kontribuar për të vënë para drejtësisë shumë kriminelë të rrezikshëm.
2. Gjykimi i autorëve të vrasjes ende nuk ka përfunduar në Gjykatën e Tiranës dhe ndonëse nga provat shkencore dhe dëshmitë, është identifikuar porositësi, Bledar Jambelli. Ai është arratisur dhe ende nuk është dënuar në mungesë.
3. Shteti grek ka refuzuar ekstradimin e Jambellit me motivimin se ai është një Vorio-epiriot dhe anëtar aktiv i pakicës greke në Shqipëri dhe se gjykimi ndaj tij, do të ishte politik dhe me karakter hakmarrës ndaj veprimtarisë politike të tij. Asnjë funksionar i lartë shqiptar (ministër i Drejtësisë apo Kryeministër) nuk e ka përmendur publikisht dhe as ka mbajtur qëndrim ndaj këtij fakti.
4. Dëshmitë e fundit të bëra publike nga kolegë gazetarë japin indicie se drejtues të minoritetit grek në Shqipëri kanë pasur rol në mos ekstradimin e këtij krimineli në Shqipëri. Asnjë politikanë nga ata që i mbështesin politikisht këta drejtues të minoritetit grek, nuk ka kërkuar sqarim publik për këto akuza. Mesa duket të jesh Dëshmor i këtij vendi nuk vlen dhe aq shumë!
Ish-kryekomisari Artan Cuku u ekzekutua me armë zjarri në hyrje të pallatit ku jetonte, më 8 prill të vitit 2017. Hetimet e prokurorisë dolën në përfundimin se shkak i vrasjes së tij ishte hakmarrja për shkak të detyrës, për kohën që ai ka qenë drejtues i Policisë në Vlorë. Ekzekutori ishte Mikel Shallari, i cili sipas hetimeve ishte paguar nga Bledar Jambelli për kryerjen e atentatit. Sipas Prokurorisë, Jambelli u hakmor për faktin se Artan Cuku e kishte arrestuar në dhjetor të vitit 2012.