Aktualitet

U plagos me plumb qorr në Tiranë, avokati i italianes kërkon transferimin e saj në Bari

Mjekët shqiptarë nuk kanë lejuar transportin me traget të saj, duke thënë se rreziku është shumë i madh. Sipas tyre, transporti duhet kryer me avion ose helikopter

E.K
U plagos me plumb qorr në Tiranë, avokati i italianes kërkon
Foto ilustruese

TIRANË- Avokati i 52 vjeçares italiane, Agata Karbonara, që u plagos nga një plumb qorr në natën e ndërrimit të viteve në Shqipëri, kërkon ndihmë që transportimi i saj drejt Barit të bëhet në një kohë sa më të shpejtë.

Edhe pse gruaja, biznesmene italiane, ndodhet jashtë rrezikut për jetën, avokati i saj Vito Leonardo Candeloro kërkon që ajo të dërgohet në vendin e saj të lindjes, për t’iu nënshtruar një ndërhyrje më të specializuar.

Policia shqiptare po heton rastin, raportojnë mediat italiane. Gruaja nuk është në gjendje të rëndë, por do të duhej të transferohej në Itali për t'iu nënshtruar një operacioni.

"Gjendja klinike e gruas është e qëndrueshme - shpjegon avokati Vito Leonardo Candeloro për BariToday – klientja ime është e vetëdijshme. Sipas mjekëve, jeta e saj është jashtë rrezikut. Kërkojmë ndërhyrje nga institucionet vendase, për shembull rajoni i Pulias, për të lejuar transferimin e gruas me ambulancë ose avion”. 

Mësohet se plumbi qorr e ka goditur Agata Karbonarën në vesh dhe në fyt, ndërkohë që ndërhyrja për nxjerrjen e tij sipas avokatit nuk mund të kryhet në Shqipëri.

“Plumbi duhet nxjerrë. Por mjekët shqiptarë deklaruan se nuk mund të ndërhyjnë, prandaj është e nevojshme që ajo të dërgohet në Itali,” thotë avokati.

Mjekët shqiptarë nuk kanë lejuar transportin me traget të saj, duke thënë se rreziku është shumë i madh. Sipas tyre, transporti duhet kryer me avion ose helikopter.

Për këtë transport janë të nevojshme 15 mijë euro, prandaj avokati kërkon ndihmë.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB