
TIRANË- Kevin Hajrulla, i cili u plagos në dhjetor të vitit të kaluar në një atentat në Vlorë ka dalë nga spitali i Traumës, një muaj pas sulmit. 30-vjeçari i shpëtoi atentatit ku u plagos me 24 plumba. I riu ka dëshmuar se nuk ka asnjë lidhje me botën e krimit dhe se nuk ka konflikte me askënd. Gjithashtu ai ka thënë se pavarësisht lidhjeve të ngushta familjare me Inez Hajrullën, këtë të fundit nuk e takon shpesh. Gjatë atentatit ndaj 30-vjeçarit mbeti edhe Armand Spahiu 35 vjeç, tregtar i fruta-perimeve.
Lidhur me ngjarjen, autorët e atentatit besohet se kanë qënë tre persona, ku pas kryerjes së krimit automjeti me targa italiane, është djegur në zonën e Panajasë në dalje të Vlorës. Por deri më sot, nuk ka asnjë të dhënë që mund të zbulonte për Policinë detaje që mund të sillte identifikimin e tyre. Mesa duket, as Kevin Hajrulla nuk i ka parë atentatorët e tij.
Kevin Hajrulla është kushëriri i Inez Hajrullës, një personazh i njohur i botës së krimit, i cili i ka shpëtuar disa atentateve në qytetin e Vlorës dhe aktualisht është në kërkim nga Policia e Shtetit. Inez Hajrulla njihet nga Policia e Vlorës si person me precedent të theksuar kriminalë. Në vitin 2013, ai u arrestua i dyshuar si autor i grabitjes me armë të një kazinoje në këtë qytet. Më pas, ai u la i lirë për mungesë provash. Më 10 maj të 2019 në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, skemë tipike e eliminimeve mafioze, teksa ishte ulur në një lokal.
Ai mundi t’i shpëtonte atentatit, e bashkë me të u plagos në mënyrë rastësore edhe Dajko Cenodemaj, i cili po konsumonte kafe në të njëjtin lokal. Së fundmi, në verën e shkuar, ai u tentua të vritej nga Amarildo Nikolli (Xhanej). Sipas dosjes së SPAK, pretendohet se Inez Hajrulla ishte futur dhe po zhvillonte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Vlorës, treg i cili kishte rënë ndesh me interesat e konkurrentëve të tij./ZËRI