
TIRANË- Prefektja e qarkut të Fierit, Rajmonda Balilaj nuk u paraqit as sot për të marrë pjesë në seancën që do të zhvillohej në Gjykatën e Posaçme për verifikimin e masës së sigurisë "pezullim nga detyra". Nga pala mbrojtëse pretendohet se Balili ndodhet jashtë vendit, konkretisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaj edhe nuk mund të marrë pjesë në gjyq. Për këtë aryse pritet që të caktohet një tjetër datë gjyqi për zyraren, e cila akuzohet se ka abuzuar me tenderat.
Duke qenë se Balilaj nuk është në Shqipëri, gjyqi do të vazhdojë me marrjen në pyetje të zyrtarëve të tjerë të Bashkisë së Fierit. Lista përbëhet nga: Shkëlqim Beqiri, aktualisht sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Patos dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave; Anisa Petani, ish-nënkryetare e Bashkisë Patos dhe kryetare e Komisionit të Ofertavel; Eneriada Rizai, anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave; Bora Murati, specialiste urbaniste; Vangjel Nushi, me detyrë ish-Drejtor i Drejtorisë së Monitorimit dhe Shërbimeve Publike, pranë Bashkisë Patos dhe Arben Manoku, ish-inxhiner i Bashkisë Patos.
Rajmonda Balilaj, Prefektja e qarkut të Fierit prej tre muajsh dhe gjashtë zyrtarë të Bashkisë Patos, janë pezulluar nga detyra pasi akuzohen për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike. Sipas SPAK, të gjithë kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Bëhet fjalë për dy procedura prokurimi të organizuara në vitin 2021, nga Bashkia Patos, si Autoritet Kontraktor, njëri për ndërtim emergjent të një muri mbajtës në rrugën Dukas-Breg, me fond 6.7 mln lekë dhe tjetri për ndërtim emergjent të murit mbajtës në trupin e rrugës në fshatin Ruzhdie, me fond 8 mln lekë. Balilaj, më detyrë ish-Kryetare e Bashkisë Patos, në bashkëpunim me anëtarët e KVO-së, sekretarin e përgjithshëm, Shkelqim Beqiri dhe Eneriada Rizai, anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë favorizuar në kundërshtim me ligjin dhe shpallur fitues operatorin ekonomik “Genti 001”.
Sipas SPAK, Balilaj ka paracaktuar fituesin, operatorin “Genti 001”, me pronar Ilir Dervishajn, duke dalë në “Apollon TV” dhe informuar fillimin e punimeve për këtë rrugë, në datën 06.02.2021, në një kohë kur shpallja e fituesit është bërë në datën 15.02.2021, dhe lidhja e kontratës me autoritetin kontraktor është bërë në datën 16.02.2021. Ish-Kryetarja e Bashkisë, ka bashkëpunuar me anëtarët e KVO-së të caktuar prej saj, në urdhërin përkatës, pasi ajo nuk kishte nga ta dinte se ky operator do të kualifikohej si fitues edhe pse ishte i vetmi garues, pasi nga hetimi ka rezultuar se ky operator nuk i plotësonte të gjitha kriteret dhe dokumentacionin e për rrjedhojë duhej skualifikuar. Kompania në fjalë, sipas SPAK, për tre vite rresht është shpallur fituese në 32 procedura prokurimi të organizuara nga Bashkia Patos. Administrator dhe pronar i kësaj kompanie është Ilir Dervishaj. Kompania “Genti 001” është themeluar në vitin 2019 dhe operon në fushën e ndërtimit dhe të tregtimit me shumicë e pakicë të materialeve të ndërtimit e lavazho./ZËRI