Aktualitet

4.7 milionë euro fitime, pamjet nga mbërritja e Bruno Çobos në Rinas

Grupi kriminal dyshohet se ka përfituar rreth 4 700 000 euro, nga skema e mashtrimit

E.K
4.7 milionë euro fitime, pamjet nga mbërritja e Bruno Çobos
Bruno Cobo

TIRANË- Ka mbërritur në Tiranë Bruno Çobo, i cili kërkohej nga drejtësia shqiptare, për mashtrimin me call center-at. Ai ka mbërritur me avion në aeroportin e Rinasit, ndërkohë që gjatë ditës së sotme ka pasur përplasje në lidhje me procedurën që u ndoq gjatë ekstradimit të tij.


NJOFTIMI I POLICISË:

Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë operacionet e përbashkëta me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.      

Marrëveshja e ekstradimit në proces, mes 2 vendeve, intensifikon bashkëpunimin për lokalizimin e shtetasve që i fshihen drejtësisë shqiptare, në Emiratet e Bashkuara Arabe.    

Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve për këtë qëllim, është finalizuar operacioni policor i koduar “Zinxhiri”, për ekstradimin e thjeshtuar të një 28-vjeçari shqiptar të akuzuar nga SPAK-u, si pjesëtar i një grupi të strukturuar që kryente veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet një call center-i.

Grupi kriminal dyshohet se ka përfituar rreth 4 700 000 euro, nga skema e mashtrimit. 28-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është lokalizuar në Abu Dhabi, pas shkëmbimit të informacioneve mes Drejtorisë së Interpolit, Departamentit të Policisë Kriminale dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe. 

Shtetasi B. C., 28 vjeç, ka bërë kërkesë për t’u kthyer me dëshirë dhe ditën e sotme është bërë deportimi i tij në Shqipëri.   

Ky shtetas akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprat penale ''Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, ''Grupi i strukturuar kriminal'' dhe ''Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”. 

Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë bashkëpunimin intensiv me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që kanë kryer veprimtari kriminale në Shqipëri dhe qëndrojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’iu fshehur drejtësisë shqiptare.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB