
TIRANË- Në një komunikim me gazetarët pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Brendshëm Taulant Balla e konsideroi një sukses të Policisë dhe Interpol Tirana, ekstardimin e parë që do të bëhet nga Dubai në Shqipëri. Bëhet fjalë për shtetasin Bruno Çobo, i cili kërkohej nga SPAK për mashtrim me call centerat. Gazetarët e pyetën Ballën nëse Çobo kishte kërkuar të ekstradohej vetë drejt Shqipërisë, dhe pse marrëveshja nuk po zbatohet për eksponentë të tjerë të botës së krimit.
Balla tha se në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë po punohet për lidhjen e marrëveshjeve me shtete që sot nuk kanë në fuqi ekstradimin e personave të kërkuar.
DEBATI:
Zoti Balla një i shumëkërkuar nga SPAK për një çështje mashtrimi, është ekstraduar nga Dubai, a ka filluar marrëveshja e ekstradimit?
Balla: Ju e keni parë që në gjetjen, identifikimin e personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare, ka nisur një punë intesive. Po kërkojmë që të hapim shtigje të reja, me shtetet që nuk kemi marrëveshje. Me një vend mik si Emiratet e Bashkuara, kemi aplikuar procedurën e ekstradimit të thjeshtuar. Kemi bërë deportimin e këtyre shtetasve, dhe më pas dërgimin me avion drejt Shqipërisë. Nuk hezitoj që ta quaj një arritje të opolicisë së shtetit dhe Interpol Tiranës. Për shkak se ky vend kishte qenë një oaz i fshehur për t’iu shmangur drejtësisë, duke i thënë fund jë kulture pandëshkueshmërie. Pas rreth një muaji do të jem në Emiratet e Bashkuara, për të çuar më tej negocimin e një marrëveshjeje për ekstradimet.
A ka qenë arritje e policisë, apo ka kërkuar vetë i shumëkërkuari që të ekstradohet, pasi i referohem një dokumenti që ai ka kërkuar vetë që të ekstradohet?
Balla: Në vendin që flasim, një person në kërkim gjendet shumë lehtë, nga 3 deri në 5 orë. Po finalizojmë një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara, për monitorimin e rrugëve në qytetet kryesore me radarë. Këtij shteti ne i kemi dorëzuar një listë me personat në kërkim. Për rastin në fjalë na është komunikuar, që ky person do të ekstradohej në këtë datë.
Pra nuk është arritje e juaja
Balla: E kam dëgjuar shpesh këtë, që kur personat kapen, thuhet që deshën të kapeshin vetë. Po e citoj, na është thënë që personi do të ekstradohet në datën aq e kaq.
/ZËRI