
TIRANË- Rreth një javë nga publikimi i skandalit me falsifikimin e diplomave nga Kolegji Universitar Wisdom, ka ardhur reagimi dhe nga Bordi i Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë. Këta të fundit mohojnë përfshirjen në skandal të Kryetares së Bordit të Akreditimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, Shqiponja Telhaj, për të cilën në dosjen e autoriteteve italiane thuhej se ishte korruptuar me një çantë Luis Vuitton.
Në reagimin thuhet gjithashtu se “përgjimet i referohen “Presidente della ASCAL”, ndërsa në komentet e dosjes është vënë gabimisht emri (i përkthyer) i kryetares së bordit si drejtuese e institucionit të ASCAL”.
Reagimi i plotë
Së pari, Prof. Shqiponja Telhaj nuk ka ushtruar në asnjë moment detyrën e presidentes së Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), por ushtron nga korriku 2021 detyrën e Kryetares së Bordit të Akreditimit. Përgjimet i referohen “Presidente della ASCAL”, ndërsa në komentet e dosjes është vënë gabimisht emri (i përkthyer) i kryetares së bordit si drejtuese e institucionit të ASCAL.
Sqarojmë se në bazë të nenit 15 të Ligjit për Arsimin e Lartë, Bordi i Akreditimit është organ kolegjial vendimmarrës dhe i pavarur në veprimtarinë e tij, i ngritur pranë ASCAL. ASCAL drejtohet nga një Drejtor, ndërsa Bordi i Akreditimit nga Kryetari i Bordit të Akreditimit. Prof. Shqiponja Telhaj ka mbajtur dhe mban vetëm detyrën e Kryetares së Bordit të Akreditimit.
Së dyti, kryetarja e Bordit të Akreditimit, Prof. Telhaj jeton dhe zhvillon aktivitetin e saj akademik në Mbretërinë e Bashkuar, dhe deklaron se ka qenë ne Mbretërinë e Bashkuar edhe në ditën kur është zhvilluar darka e pretenduar. Këto fakte janë lehtësisht të verifikueshme nëpërmjet sistemit TIMS. Ndërkohë që Prof. Telhaj do ta ndjekë çështjen edhe ligjërisht për të kërkuar tërheqje dhe kërkim falje për akuzat e rreme, anëtaret e bordit dëshirojnë të ritheksojnë besimin e tyre të plotë në integritetin e saj në drejtimin e bordit.
Së treti, Bordi i Akreditimit i drejtuar nga Prof. Telhaj deri më sot nuk ka marrë asnjë vendim për akreditimin institucional të institucionit në fjalë.
Së katërti, e gjithë vendimmarrja e Bordit lidhur me akreditimet mbështetet në raportet e hartuara nga ekspertët që përcaktohen nga ASCAL dhe dokumentacionet e dorëzuara nga institucionet.
Prokuroria e Tiranës, njoftoi dje nisjen e hetimit për skandalin me shitjen e diplomave, që sipas tyre ka filluar që prej sinjalizimeve të para që janë marrë nga autoritetet italiane në muajin Korrik. 9 të arrestuarit nga autoritetet italiane, të cilët i cilëson si grup kriminal, jepnin certifikata dhe diploma false, kundrejt pagesave që varionin nga 6 mijë deri në 20 mijë euro, në varësi të degës së specializimit, që kërkohej nga ana e përfituesve. Në krye të skemës me diploma që ‘përmbytën’ tregun italian qëndronte çifti i i të sapomartuarve Savino Cianci dhe gruaja e tij Lucia Catalano, të cilët duke përfituar nga lidhjet që kishin në Shqipëri dhe në Itali, morën drejtimin e Universitetit me premtimin që do ta shndërronin në një qendër të mësimdhënies, për të gjithë studentët e ekselencës në Ballkan./ZËRI