Aktualitet

U kap me armë dhe kokainë, Gjykata lë në burg shoferin e Agron Dukës

Haxhiu ka thënë se drogën e kishte për përdorim personal

E.K
U kap me armë dhe kokainë, Gjykata lë në burg shoferin e
Edevaldo Haxhiu

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Edevaldo Haxhiun, i cili u arrestua pak ditë më parë nga policia, pasi iu gjet armë në makinë dhe disa doza kokainë. Haxhiu është prezantuar si shoferi i kreut të PAA-së Agron Duka, ndërsa dyshohet se bashkë kanë dhe lidhje familjare. Burime bëjnë me dije për ZËRIN, se Haxhiu nuk ka preferuar të japë shpjegime në Gjykatë, ndërsa kokainën ka deklaruar se e kishte për përdorim personal. 

‘Drogën e kisha për përdorim personal’, mësohet që të jetë shprehur Haxhiu në Gjykatë.

Emri i Haxhiut nuk është i panjohur për policinë shqiptare pasi ai ka ndihmuar më parë të fshihej në Shqipëri bosin turk të kriptomonedhave, Faruk Ozer. Pavarësisht insistimit nga Policia, Haxhiu nuk bashkëpunoi asokohe me drejtësinë shqiptare për të treguar vendndodhje e Ozer, i cili tashmë është duke u përballur me drejtësinë në Turqi pas arrestimit.

Faruk Ozer do të arrestohej në Shqipëri në Gusht të vitit 2022, për t’u ekstraduar më pas drejt Turqisë. Policia shqiptare por edhe mediat turke, kanë pasur dyshime se dhe vetë vëllezërit Armando dhe Agron Duka, kanë pasur lidhje me bosin e kriptomonedhave, por një gjë e tillë nuk është arritur që të provohej.

Ozer, u dënua në vitin 2023 me 11,196 vjet burg. Ai akuzohet për krime të shumta përfshirë mashtrimin, udhëheqjen e një organizate kriminale dhe pastrim parash. Gjykata në Stamboll përveç Ozer, dënoi edhe dy vëllezërit e motrat e tij me burg, Serap Özer dhe Güven Özer, duke i shpallur ata fajtorë për mashtrim të rëndë. Po ashtu atyre iu është vendosur një gjobë prej 5 milionë dollarësh./ZËRI 

Poll

MOS HUMB