Aktualitet

“Luftëtari Arnaut” kthehet në 'bashibozuk'/ Si Serbia ndryshoi emrin e pikturës që u ble në ankand

Mbi qeverinë shqiptare janë hedhur disa akuza, se u tregua e ngathtë dhe mund të ishte bërë pjesë e ankandit

E.K
“Luftëtari Arnaut” kthehet në 'bashibozuk'/ Si
Piktura "luftetari arnaut"

SERB- Një pikturë e Paja Janoviçit, e cila u ble në një ankand nga shteti serb, ka nxjerrë në pah edhe njëherë tjetër, përplasje të natyrës historike me Shqipërinë. Piktura në fjalë “luftëtari arnaut” (shqip: luftëtari shqiptar), e cila u ble për shifrën e rreth 300 mijë paundëve në një ankand në Londër, gjatë ekspozimit në Serbi është emërtuar me një emër të ri “Pushimi i bashibozukut”. Bashibuzuk quhej një ushtar i parregullt i ushtrisë osmane, i rritur në kohë lufte. Ushtria osmane, si bashibuzuk zgjidhte kryesisht shqiptarët dhe çerkezët si bashi-bazoukë

Në lidhje me këtë riemërtim të kësaj pikture ka pasur disa reagime në Shqipëri dhe në Kosovë, por jo të natyrës institucionale. Artan Shkreli, në një postim në rrjetet sociale, thotë se ndryshimi i emrit është i dëmshëm në aspektin shkencor, dhe padyshim është një akt i shëmtuar që cënon fqinjësinë e mirë.

“Pa rënë në nacionalizëm, është padyshim e dëmshme shkencërisht, dhe e shëmtuar si fqinjësi, cka Ministria e Kulturës e Serbisë bëri me pikturën “Luftëtari Arnaut”, blerë në ankandin e famshëm të Londrës për rreth 300.000 paund… Ekspozuar në Beograd pak ditë më parë, është riemërtuar aty si “Odmor bašibozuka / Pushimi i bashibozukut””, shkruan Shkeli në postimin e tij në rrjetet sociale.

Sinjalet e para të asaj që do të ndodhte me këtë pikturë u dhanë që në blerjen e kësaj pikture në ankand. Historiani Jusuf Buxhovi do të paralajmëronte atë që po ndodhte me një shkrim me titullin ‘kur shqiptari kthehet në bashibozuk’.

Ndërkohë që akuza për qeverinë shqiptare do të vinin dhe nga Artan Lame, i cili tha se ne mund të ishim bërë pjesë e ankandit për blerjen e pikturës.

“Askund nuk pashë që dikujt t’i shkonte mendja te gjëja më e thjeshtë e kësaj bote: Pse nuk e bleu shteti shqiptar?! Se ankand i hapur ishte dreqi ta hajë, nuk vajti Vuçiçi me çorape në kokë ta vidhte në Londër e ta çonte në Beograd. Ndoshta edhe po të kishte hyrë në ankand shteti shqiptar, prapë do ta kishim humbur, se Serbia ka para më shumë se ne, po të paktën edhe faqen do t’ia kishim shpëtuar shqipes (ja e provuam, po kaq e kishim takatin); por edhe një dëm do t’ia kishim bërë serbit, se do ta blinte më shtrenjtë. As kaq nuk bëmë...”, do të shkruante Lame pak muaj më parë.

PSE U NDRYSHUA EMRI?

Fjalori i shqipes “bashibozukun” e njeh si një ushtar të padisiplinuar, i cili vriste dhe plaçkiste popullsinë. Pikërisht ndryshimi i emrit, duket se më së shumti lidhet me përplasjet historike, sesa me qëllimin e vërtetë që autori i pikturës kishte pasur në realizimin e saj. Ishte presidenti serb Aleksandër Vuçiç ai që dha një kontribut të madh që kjo vepër të shkonte në Serbi, edhe pse me gjasë ajo nuk kishte qenë kurrë aty.

"Luftëtari arnaut" ka shumë ngjarë të jetë kapur në afërsi të Shkodrës, pasi në telajo shfaqet një luftëtar tipik shqiptar i shekullit të 19-të, i cili në momentet e pushimit konsumon çaj, kafe dhe nargjile. Ai ka fizionomi mahnitëse, tipare të mprehta të fytyrës, kostum ushtarak dhe pushkë tipike shqiptare. Kjo pikturë mund të jetë pikturuar në mesin e viteve 80 të shek. shekulli XIX kur Jovanoviçi qëndronte në zonën e Shkodrës në veri të Shqipërisë./ZËRI 

Poll

MOS HUMB