
TIRANË- Që nga nisja e procesit të Vetingut, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të rishikojë një vendim shkarkimi të formës së prerë. Bëhet fjalë për rastin e prokurores Antoneta Sevdari, për të cilën ka dhe një vendim nga Gjykata e Strasburgut, që i jepte asaj të drejtë në shqetësimet e ngritura për procesin.
Gjykata europiane i dha të drejtë ish-prokurores, dhe dënoi Shqipërinë që ta shpërblente Sevdarin me disa paga. Po ashtu Strasburgu sugjeroi të rishikohej vendimi i shkarkimit të saj pasi i janë shkelur disa të drejta gjatë rivlerësimit kalimtar.
Gjykata vuri në dukje se vendimi i shkarkimit ishte “disproporcional”, por theksoi gjithashtu se rasti i Sevdarit duhet të konsiderohet përjashtimor dhe se nuk shërben për të hedhur poshtë në tërësi procesin e vetingut në Shqipëri.
Gjykata e Strazburgut i akordoi Sevdarit 13,600 euro dëmshpërblim për humbjet financiare të pësuara nga shkarkimi si prokurore ndërsa i akordoi edhe 6 mijë euro të tjera dëmshpërblim për dëme jopasurore. Sevdarit iu caktuan edhe 5 mijë euro kompensim për kostot e procesit.
Sevdari u shkarkua nga KPA në shkurt 2019, ndërkohë që nga trupa që votoi në favor të shkarkimit të saj, gjyqtarët Sokol Çomo dhe Rezarta Schuetz janë pjesë e trupës që do të shqyrtojë kërkesën për rishikim të vendimit.
Nga gjyqtarët që votuan në favor të shkarkimit të Sevdarit, Luan Daci u gjet fajtor me vendim përfundimtar për falsifikim të dokumenteve gjatë aplikimit për pozicionin në KPA dhe është shkarkuar nga detyra. Ndërkohë gjyqtari Ardian Hajdari është pezulluar, ndërsa u gjet fajtor pak kohë më parë për fshehje pasurie nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.
Anëtarët e tjerë që do të vendosin për rastin e Sevdarit janë Natasha Mulaj, Albana Shtylla dhe Ina Rama, të cilat nuk kanë qenë pjesë e vendimmarrjes së 4 viteve më parë.
/ZËRI