
FIER- Një tjetër vrasje është shënuar në vend si shkak i një konflikti të nisur në rrjetet sociale. Konflikti ka nisur mesditën e sotme, në orën 11:30, në bulevardin ‘Jakov Xoxa’. Të rinjtë janë takuar me njëri-tjetrin në ambientet e një lokali për t'u sqaruar. Por më pas debati mes tyre ka degraduar edhe në përplasje fizike, derisa në një moment, 18-vjeçari Florjan Muka ka plagosur me thikë, Grei Bihucin, 19 vjeç.
NJOFTIMI I POLICISË:

Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 11:30, në bulevardin "Jakov Xoxa", shtetasi F. M., 18 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin G. B., 19 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën në spital. Në spitalin e Fierit është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi O. S., 20 vjeç, i cili në momentin që ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit është dëmtuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar në Polici shtetasin F. M, dhe po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Bashkë me të është dërguar me urgjencë në spital edhe O. S., 20 vjeç, i cili në momentin që ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit është dëmtuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Por të njëjtin fat për t'i shpëtuar plagëve të shkaktuara nga thika nuk e ka pasur 19-vjeçari Bihuci, i cili pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ndërroi jetë në spital. Aktualisht, Florjan Muka është shoqëruar në Komisariatin e Fierit, ku edhe po merret në pyetje lidhur me shkakun e përplasjes mes të rinjëve, që i kushtoi jetën 19-vjeçarit./ZËRI