
SHKODËR-Tre shqiptarët e dhunuar në Mal të Zi janë kthyer në Shqipëri, ku i janë nënshtruar edhe një kontrolli në spitalin e Shkodrës. Mjeku i Urgjencës në spitalin Rajonal të Shkodrës Astrit Lahi ka folur në lidhje me gjendjen shëndetësore të tre shqiptarëve.
Mjeku ka treguar se të rinjtë kishin dëmtime në kokë dhe trup. Sipas mjekut gjëndja e tyre tani është e mirë dhe mjekimin e parë e kishin marrë në Mal të Zi.
"Janë paraqitur rreth orës 6 të mëngjesit. Në ekzaminimet e para vihej re se kishin dëmtime, në kokë në trup, në fytyrë. U filluan ekzaminimet përkatëse që u takonin. Kanë qëndruar për disa orë në spitalin rajonal në Shkodër. Kishte prezencë të policisë. Në përgjithësi ishin në të njëjtën situatë nuk paraqisnin probleme neurologjike. Koshiencë të qartë njëri kishte dëmtim te syri. Nga konsulta që u bë me okulistin pa probleme madhor ka dalë me mjekim. Gjendja shyqyr ishte relativisht e mirë. Me grushte ishte referimi i tyre. Këtu kanë qëndruar rreth 4 orë. Këtu ishin për rikontroll, pasi kanë marrë mjekim edhe në Malin e Zi’- tha mjeku.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të mesditës së djeshme në zonën e Zelenika-s, pranë qytetit Herceg Novi, kur Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi po udhëtonin drejt Gjermanisë. Shqiptarët kanë qenë duke lëvizur me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej 6 ose 7 personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë, pasi i kanë dëgjuar se flisnin shqip./ZËRI