
DURRËS- “E pashë që mami kishte të nxira në krahë, por nuk fola. Doja të shijoja çastet e fundit me të,”-shprehet vajza e Bedrie Lokës, duke na rikujtuar edhe njëherë se ka ende familje në të cilat dhuna është kthyer në nomalitet. Ku pavarësisht se kryefjalë e mediave mund të jetë bërë nëna jote ndjerë për shkak të dhunës që i është ushtruar, gjë që e ka çuar drejt vetëflijimit, ti sërish hesht, duke u fshehur pas denigrimit e bullizmit nga një faqe “Tik Toku” që ishte kilometra dritë larg të vërtetës.
ZËRI udhëtoi drejt Sukthit e Fllakës, dy zonat që përmbledhin jetën e kësaj gruaje që pjesën më të madhe të kohës e kalonte në fabrikën ku punonte, e ndërsa sot, nuk po prehet e qetë as në banesën e fundit. 22-vjeçaren, vajzën e madhe të Bedries së ndjerë, e gjetëm të vetme në shtëpi.
“Kemi futur në dhe një njeri mjaft të dashur për ne. Mami dhunohej, ia kam parë të nxirat, edhe infermierja atë natë që e çuam në spital e pa. Nuk kemi bërë asnjëherë denoncim për dhunë,”- thotë e bija jashtë kamerave.
Ajo tashmë e di të vërtetën, e ka jetuar në kurriz faktin që e ëma vritej gradualisht e çdo ditë nga i ati, por nuk është e qartë nëse zhvarrosja për riekspertim të dhenjave të dhunës për të vënë drejtësinë në vend, do t’i bënte mirë të ëmës.
“Kaq e kishte të shkruar, ishte fati i saj. Të paktën të prehej e qetë atje ku ishte,”- vijon vajza.
Pavarësisht se deri më sot kishte fjetur me një kallashnikov Sharrs poshtë jastëkut, sërish nuk e hedh poshtë të atin.
“Ndoshta edhe do shkojmë, nuk e di çfarë mund të them tani. Do shkojmë ta shohim në burg,”- e mbylli ajo fjalën e saj, duke harruar që vetëm pak orë më parë, i vëllai rrëfeu tmerrin që përjetontë nëna e tyre çdo ditë. Tehu i thikës që mund t’i merrte jetën, ishte kthyer në një kërcënim të përditshëm nga babai i katër fëmijëve.
Bukurie Bushi Loka vendosi të vetëflijohej pas 22 vitesh martesë me Xhemal Lokën, burrin që e kishte bërë katër herë baba, por që përfundoi të ishte i njëjti njeri që e çoi drejt aktit fatal. Vëllezërit e saj, Mahmut dhe Avni Bushi kanë kërkuar zhvarrosjen e trupit të së motrës, për të vërtetuar që jetën nuk ia mori as denigrimi në rrjetet sociale dhe as hapja e një profili në Tik Tok, por dhuna e vazhdueshme që përjetonte nga bashkëshorti.
“Xhemali kishte dy vite që nuk ishte mirë me motrën tonë, kemi 22 vite që e njohim, por atë që ka bërë ai në motrën tonë dy vitet e fundit, nuk dimë ta shpjegojmë me fjalë,”- shprehen vëllezërit jashtë kamerave.
ZËRI u informua nga banorë të zonës se vëllezërit e Bedries nuk e falin gjakun e motrës së tyre. Edhe pse u vetëflijua duke konsumuar fostoksinë, fakti që drejt këtij akti e ka shtyrë dhuna e përditshme e të shpqit Xhemal Loka, i bën të dy vëllezërit të kenë dëshirën për të marrë hak.
Për të ndërmjetësuar e zbutur situatën në familjen Bushi, me origjinë nga Peshkopia, ka zbritur një pajtues gjaqesh. Nga ana tjetër, ekspertiza ligjore do të rianalizojë trupin e të ndjerës, që është varrosur me të nxira në krahë për shkak të dhunës.
A do të mjaftohet familja më dënimin e Xhemal Lokës? A do të sjellë kjo tragjedi një valë gjakmarrjeje mes fiseve Loka e Bushi? E nëse është kjo e fundit, drejtësia këtë herë duhet të jetë më vigjilente, të mos lërë në dorën e kanunit fatin e katër fëmijëve ashtu siç la të vetë Bedries, pasi shtëpitë e dy familjeve, janë vetëm 1 kilometër larg njëra-tjetrës. Përballja e tyre në jetën e përditshme është e pashmangshme./ZËRI