
MALI I ZI-Detaje të reja janë zbardhur nga dhuna e tre shqiptarve në Mal të Zi. Familja e 25-vjeçarit, Doris Kopaçi është shprehur jashtë kamerave se djali i tyre ishte nisur për të punuar në Gjermani për shkak të kushteve të vështira ekonomike por fatkeqësisht rrugës kishte ndodhur incidenti.
Sipas tyre 25-vjeçari ndodhej në sediljen e pasme të automjetit kur ka ndodhur ngjarja dhe ka refuzuar të dali nga mjeti në momentin kur agresorët i janë drejtuar makinës.
Tre shqiptarët e dhunuar janë kthyer në Shqipëri, ku i janë nënshtruar edhe një kontrolli në spitalin e Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të mesditës së djeshme në zonën e Zelenika-s, pranë qytetit Herceg Novi, kur Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi po udhëtonin drejt Gjermanisë. Shqiptarët kanë qenë duke lëvizur me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej 6 ose 7 personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë, pasi i kanë dëgjuar se flisnin shqip./ZËRI