
DURRËS- Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë që e la me 2 vite e 8 muaj burg. Dosja hetimore do të shqyrtohet nga gjyqtari Engert Pëllumbi dhe anëtar Iliriana Olldashi dhe Miljana Muça. Pavarësisht dënimit me burg, Dako vijon të jetë në arrest shtëpie, deri në dënimin e Apelit.
Vangjush Dako, ish kryebashkiaku i Durrësit u arrestua më 6 qershor me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste. Rasti i parë ka të bëjë me dhënien e një leje ndërtimi në 2011 për një pallat, në lagjen nr 5, në qendër të Durrësit që u dëmtua nga tërmeti i 2019-ës.
Pasi verifikimeve dyshohet se pallati kishte 4 kate pa leje dhe legalizimi i godinës është kryer në shkelje të ligjit. Rasti i dytë ka të bëje me një kallëzim për tenderin e shëtitores që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, dëmi llogaritej në 18 milionë lekë. /ZËRI