
KORÇË- Prokuroria e Korçës kërkon 25 vite burg për 21-vjeçarin Dritson Kurti. I riu akuzohet për akuzën e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitur. Kurti bashkëjetonte me një 13-vjeçare, me të cilën solli në jetë edhe një vajzë. Në momentin kur e mitura ka shkuar për të lindur në spital, është zbuluar edhe bashkëjetesa e tyre dhe 21-vjeçari u vendos në pranga.
E mitura, A. Jonuzi, edhe pse ende fëmijë kërkon lirimin e atij që ajo e cilëson si bashkëshortin e saj. Madje shton se Kurti nuk ka parë ende as vajzën.
“Vetëm burri punonte, edhe ditën edhe natën. Ditën shkonte punonte në fushën e druve e natën punonte tek plehrat. Pse tani prokuroria ka dhënë 25 vjet, për çfarë arsye? Mua më kanë dhënë vetë prindërit me duart e veta, nuk më ka marrë me dhunë. Unë dua të më lirojnë burrin se nuk ka kush më ushqen. Unë vetëm me nënën rri. Ai është i pafajshëm e nuk më ka marrë me dhunë që t’i vendosnin 25 vite. Ai nuk ka bërë asgjë. Burri nuk e ka parë vajzën, as unë nuk kam shkuar dot ta takoj. Unë kam 5 muaj që s’e kam parë, më ka marrë malli, as çupën nuk e ka marrë dot në krah. Më mori malli ta shikoj njëherë, çupën s’e ka marrë në krahë. Unë dua thjesht të ma lirojnë. Ça është kjo gjykatëse që i ka dhëne 25 vite. Ai nuk ka ndjerë erën e fëmijës se vet, çupa po rritet jetime pa baba. Dua të më lironi burrin, asgjë s’dua tjetër,”- tha e mitura e intervistuar nga mediat.
Edhe gjyshja e 21-vjeçarit thotë se martesat në këtë moshë janë traditë e komunitetit që ata i përkasin, atij rom. Ndaj edhe ajo kërkon lirimin e nipit me pretendimin se të dy janë "martuar" me miratim.
“Djalin e kemi martuar me marrëveshje me prindërit e gocës dhe kemi shkuar në Milot. U panë, e morëm, e sollëm. Lindi nusja 13-vjeçare. Ne e kemi si traditë që ne martohemi shpejt dhe këtë nipçen e zuri plumbi gropave. Çfarë ka bërë djali? As ka vrarë, as ka therur, asgjë s’ka bërë. Bënë një foshnjë dhe djali as e ka parë gocën fare. Sa e lindi, e pa edhe e morën, e ikën. Duam një orë e më parë të lutem të zgjidhni këtë problemin e këtij djali që është jetim e pa nënë. I ka vdekur e ëma, e mbaj unë nusen me gjithë fëmijë… Vajzat tek ne i marrim 14 vjeçe. 7 nipa kam martuar nuset kanë qenë 12-13-14 vjeç. Ne e kemi traditë. Tani doli ky ligji këtij djalit? Më ndihmoni të më nxjerrin djalin nga burgu se vetëm unë me pension nuk e mbaj dot nusen e foshnjën,”- tha ajo.
Por tradita dhe ligji duket se në këtë rast nuk përputhen./ZËRI