Aktualitet

Ndarja nga jeta e Janullatos, zgjidhet zëvendësuesi i përkohshëm

Kisha Orthodhokse sqaron se gjatë mbledhjes së Sinodit të Shenjtë paraditen e së shtunës, është marrë vendimi për një drejtues të përkohshëm.

k.m.
Ndarja nga jeta e Janullatos, zgjidhet zëvendësuesi i
Anastas Janullatos

KORÇË- Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani do të jetë ai që do të drejtojë përkohësisht Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pas ndarjes nga jeta të kryepeshkopit Anastas Janullatos. Përmes një njoftimi për mediat, Kisha Orthodhokse sqaron se gjatë mbledhjes së Sinodit të Shenjtë paraditen e së shtunës, është marrë vendimi për një drejtues të përkohshëm.

“Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme sot, më datë 25 janar 2025, në orën 11:30. Në këtë seancë, Sinodi shprehu dhimbjen e thellë për fjetjen në Zotin të Atit dhe Kryebariut tonë, Kryepiskopit të ndjerë të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit. Gjithashtu, Sinodi i Shenjtë mori këto vendime: Zgjedhjen e Mitropolitit të Korçës, Imzot Joanit, si Mbikqyrës (Locum Tenens) të Fronit Kryepiskopal. Shpalljen e zisë kishtare për pesë ditë, nga datat 25 - 29 janar 2025.”

Kryepeshkopi Anastas i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë ndërroi jetë sot në moshën 96-vjeçare në një spital në Athinë. Fortlumturia e tij, Janullatos ndodhej në spitalin Evangelismos prej disa javësh, pasi u transferua në Athinë nga Tirana me avionë të Forcave Ajrore. Sot Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë lajmëroi se Kryepeshkoi mbylli sytë përgjithmonë. Ndërsa dje, stafi mjekësor lajmëroi se shumë nga organet e tij ndaluan së funksionuari.

Fortlumturia e tij, Janullatos ndodhej në spitalin Evangelismos prej disa javësh, pasi u transferua në Athinë nga Tirana me avionë të Forcave Ajrore. Prej datës 30 dhjetor, ai ishte i shtruar në një klinikë në Tiranë. Diagnoza fillestare ishte një virus sezonal. Megjithatë, duke pasur parasysh shëndetin dhe moshën e tij, virusi u shndërrua në një infeksion dhe ai pësoi gjakderdhje gastrike. Ndaj u pa e nevojshme transferimi i tij në Athinë, në të njëjtin spital ku edhe u kurua kur u prek nga pandemia e koronavirusit. Fillimisht gjendja e tij ishte e kontrolluar dhe as nuk u intubua, por me orët që kaluan gjendja e tij u përkeqësua dhe sot ndërroi jetë./ZËRI

Poll

MOS HUMB