
PRISHTINË – ‘Baroni i drogës’ Gëzim Çela i arrestuar më 9 dhjetor në Kosovë kishte gjetur metodatë ndryshme, që të mos binte në sy të policisë. Ai përdorte një kartë identiteti false, e cila mbante emrin Bekim Bajraktari.
Çela u vu në pranga më 9 dhjetor në Ferizaj, teksa ishte në shoqërinë e dy vajzave nga Shqipëria. Me të ishte edhe një person, që dyshohet se e ka shoqëruar gjatë kohës që ka qëndruar në Kosovë. Policia ka sekuestruar edhe një armë automatike të Çelës, si dhe 15 fishekë.
Efektivët e Shqipërisë zbuluan se Gëzim Çela dhe grupi i tij, ndihmuar nga ish-shefi i Komisariatit të Kurbinit Dritan Metaj, trafikonte kanabis nga zona e Fushë Kuqes drejt Detit Adriatik, ku në një velierë shkëmbente kanabis me kokainë. Gëzim Çela është ndër të parat emra të përmendur në territorin shqiptar për trafik droge, pasi kishte nisur aktivitetin e paligjshëm që në fillim të viteve 1990.
Dikur një ish-punonjës i policisë, Gëzim Çela u shndërrua në një trafikant droge, që dërgonte kokainë në Kosovë, si dhe në vendet europiane. Ai ka qenë i dënuar më herët për shfrytëzim prostitucioni dhe trafik ndërkombëtar droge./ZËRI/