
DIBËR- Kryeministri Edi Rama dhe zv kryeministrja Belinda Balluku kanë inspektuar punimet në Tunelin e Murrizit, i cili është drejt përfundimit. Balluku në fjalën e saj për mediat deklaroi se tuneli i Murrizit ka pasur progres të ulët për gërmim, për shkak të problematikave të shumta gjeologjike. Ajo tregoi se është bërë punë e madhe për të hapur tunelin, që më në fund po finalizohet.
“Ndodhemi në tunelin kryesor të Murrizit. Një tunel i përbërë nga dy tuba. Ndodhemi në tubin kryesor, ndërkohë që tubi tjetër është tubi ndihmës, lidhen me njëri tjetrin me 11 nyje lidhëse, 3 prej të cilave janë më të gjëra dhe kanë mundësi shkëmbimi. Gjatësia e këtij tuneli është 3789 metra, ndërkohë e tunelit ndihmës 3781 metra. Lartësia këtu është 6.8 metra, ndërkohë që tuneli ndihmës është 4.2 metra. Ka qenë një vepër me infrastrukturë jashtëzakonisht sfiduese. E kemi nisur këtë tunel në maj të vitit 2019, ndërkohë tunelin ndihmës e kemi nisur në korrik të 2019. Na është dashur të përballemi me shumë sfida, pasi gjeologjia është totalisht e paqëndrueshme dhe volumet e kërkimit kanë qenë të mëdha. Janë përdorur më shumë se 26 ton hekur, pasi ka qenë shumë e nevojshme që të strukturoren në mënyrë të tillë për të qëndruar. Ka patur një angazhim shumë të madh nga të gjitha grupet që kanë qenë duke punuar. Kemi patur katër fronte që kanë qenë duke punuar dhe nga përllogaritje na janë dashur më shumë se 1400 ditë për tunelin e vogël dhe më shumë se 1600 ditë për këtë tunel. Sot jemi në fazën finale praktikisht. Kemi nisur nga e premtja e shkuar që të shohim dritë nga ana tjetër dhe sot është përfundimi dhe këtu hapen dhe mbarojmë përfundimisht gërmimet.” – tha zëvendëskryeministrja Balluku.
Ndërsa, kryeministri Edi Rama theksoi se është një lajm tepër i mirë hapja e tunelit përpara Vitit të Ri. Ai tha se hapja e tunelit u bë dhe në kohë rekord, por edhe punimet janë tepër cilësore.
“Ishte një shenjë e mirë që u hap para se të mbarojë viti se këtë ne nuk e prisnim. Ishte përshpejtim! Thjeshtë ta mbarojmë me kulmin e cilësisë, pastaj kur të mbarojë të mbarojë. Brenda viti tjetër s’diskutohet, por le t’ia lëmë dhe pak fatit këtu se këtu çfarë s’kemi parë. Tani gjithësi është më në kontroll puna”. –u shpreh kryeministri Rama.
Tuneli i Murrizit është i gjatë 3.7 kilometra dhe pritet që të jetë plotësisht i aksesueshëm nga 1 janari 2024. Pas hapjes së tunelit, Dibra dhe Tirana do të përshkruhen në më pak kohë. Punimet për të hapur tunelin nisën në vitin 2019./ZËRI/