
TIRANË- Në orën 18.00 në Tiranë nis protesta e opozitës, kështu që protestuesit janë nisur për në Tiranë. Raportohet se nga Fieri janë nisur mbi 100 automjete private dhe 3 furgonë me protestues. Përveç Fierit, demokratë po vijnë edhe nga Gramshi. Kreu i PD-së Gramsh, Kodhel Çala lajmëroi se ka nisur drejt Tiranës 70 protestues, duke denoncuar se nuk janë lejuar që të përdorin autobus për transport. Ndaj e vetmja zgjidhje është gjetur përdorimi i mjeteve private.
“70 protestusit sot drejt Tiranës janë nisur me 20 automjetet e tyre private. Pjesmarrja do ishte më e madhe por problemi i transportit ka lënë shumë demoktat pa ju bashkuar kësaj kauze, nuk na vijnë drejtuesit e autobuzeve për transport nga frika e gjobave e presionit që ushtron policia. Dihet publikisht ky presion që ushton policia. Dua të kujtoj që unë vetë jam gjobitur si taksixhi pse merrja pjesë në protestë,”-tha Çala.
Protesta e opozitës vjen pas dënimit me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji, i cili u dënua për shkak të çështjes “Babale”. Si shenjë proteste, opozita nisi dy aksione të mëparshme, ku shkaktuan dhunë dhe kaos në Kuvend. Deputetët dogjën karriget në oborrin e Parlamentit më 30 shtator dhe për këtë arsye ata u përjashtuan nga Sekretariati i Etikës deri më 60 ditë. Ndërsa, në seancën e së enjtes më 3 tetor ata nuk u lejuan të futeshin në Kuvend nga garda, dhe deputetët e opozitës bllokuan hyrjet e Kuvendit për të penguar kolegët e tyre socialist të merrnin pjesë në seancën parlamentare. Për shkak të rrëmujës që u zhvillua jashtë, seanca parlamentare zgjati vetëm 30 minuta, ndërsa deputetët që u penguan të futeshin dogjën në oborr 4 manekinë dhe deklaruan se nuk do të ketë më normalitet./ZËRI