
TIRANË- Ambasada amerikane në Shqipëri ka bërë një lajmërim për të gjithë qytetarët. Me anë të një njoftimi zyrtar, Ambasada këshillon personelin e ambasadës amerikane që të shmangë tubimin.
Njoftimi i Ambasadës:
Ambasada e SHBA në Tiranë, Shqipëri
Mesazh për Qytetarët Amerikanë
Vendndodhja: Në të gjithë Tiranën; Bulevardi Deshmoret e Kombit ndërmjet Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza
Data/Ora: E Hënë 07 Tetor 2024, ora 18:00
Ngjarja: Të hënën më 7 tetor është planifikuar të zhvillohet një demonstratë. Protestuesit planifikojnë të mblidhen te Kryeministria. në orën 18:00. Pritet prania e shtuar e policisë, mbyllja e rrugëve dhe ndërprerja e qarkullimit. Policia e Shtetit Shqiptar ka këshilluar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzimet në pjesë të ndryshme të qytetit të Tiranës. Personeli i ambasadës amerikane është këshilluar të shmangë demonstratën. Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit.
Protesta e opozitës vjen pas dënimit me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji, i cili u dënua për shkak të çështjes “Babale”. Si shenjë proteste, opozita nisi dy aksione të mëparshme, ku shkaktuan dhunë dhe kaos në Kuvend. Deputetët dogjën karriget në oborrin e Parlamentit më 30 shtator dhe për këtë arsye ata u përjashtuan nga Sekretariati i Etikës deri më 60 ditë. Ndërsa, në seancën e së enjtes më 3 tetor ata nuk u lejuan të futeshin në Kuvend nga garda, dhe deputetët e opozitës bllokuan hyrjet e Kuvendit për të penguar kolegët e tyre socialist të merrnin pjesë në seancën parlamentare. Për shkak të rrëmujës që u zhvillua jashtë, seanca parlamentare zgjati vetëm 30 minuta, ndërsa deputetët që u penguan të futeshin dogjën në oborr 4 manekinë dhe deklaruan se nuk do të ketë më normalitet./ZËRI