
TIRANË- Në protestën e opozitës sot do të jetë edhe "Avokati i Popullit". Institucioni ka dalë me një deklaratë zyrtare ku njofton se sot në terren do jenë 4 grupe monitorime që do të vëzhgojnë nga afër zhvillimet e protestës. Pas protestës, këto grupe do të zhvendosen nëpër Komisariatet e Policisë së Shtetit, në mënyrë që nëse do të ketë të arrestuar, të sigurohen që po u respektohen të drejtat. Por pavarësisht se merret parasysh skenari më i keq, ai i dhunës, Avokati i Popullit bën apel për një protestë paqësore.
"Institucioni i Avokatit të Popullit, në përmbushje të misionit të tij për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, ka marrë masa të veçanta për monitorimin e protestës kombëtare që organizohet sot nga opozita në Tiranë. Në këtë kuadër, do të qëndrojnë në terren pesë grupe monitorimi, të cilat do të ndjekin nga afër zhvillimet në zonat ku do të realizohet protesta. Një grup tjetër monitorimi është ngarkuar për të ndjekur raportimet online dhe live të mediave, me qëllim të vlerësimit të saktë të ecurisë së ngjarjeve në kohë reale. Gjithashtu, katër grupe monitorimi, pas protestës, do të jenë prezent në komisariatet e policisë për të siguruar mbikëqyrjen e respektimit të të drejtave të qytetarëve që mund të ndalohen apo shoqërohen gjatë protestës. Institucioni i Avokatit të Popullit rithekson rëndësinë e respektimit të së drejtës për protestë paqësore, e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Çdo qytetar ka të drejtë të shprehë mendimin e tij dhe të protestojë paqësisht, pa frikë nga represioni apo dhuna. Në këtë drejtim, apelojmë për mirëkuptim dhe bashkëpunim mes të gjithë aktorëve për të siguruar një protestë paqësore, ku të drejtat dhe liritë e qytetarëve të respektohen plotësisht.
Institucioni i Avokatit të Popullit i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe autoriteteve përkatëse që të veprojnë me përgjegjësi, duke respektuar standardet e ndërhyrjes së nevojshme për të garantuar rendin dhe sigurinë, pa cënuar të drejtat e qytetarëve. Gjithashtu, u bëjmë thirrje protestuesve që të demonstrojnë paqësisht, duke respektuar jo vetëm të drejtat e tyre, por edhe ato të qytetarëve të tjerë. E drejta për protestë duhet të bashkëjetojë me detyrimin për të respektuar rendin dhe sigurinë publike. Monitorimi i Avokatit të Popullit do të jetë i pandërprerë deri në përfundimin e plotë të protestës,"-thuhet në deklaratën e lëshuar nga Avokati i Popullit.
Protesta e opozitës vjen pas dënimit me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji, i cili u dënua për shkak të çështjes “Babale”. Si shenjë proteste, opozita nisi dy aksione të mëparshme, ku shkaktuan dhunë dhe kaos në Kuvend. Deputetët dogjën karriget në oborrin e Parlamentit më 30 shtator dhe për këtë arsye ata u përjashtuan nga Sekretariati i Etikës deri më 60 ditë. Ndërsa, në seancën e së enjtes më 3 tetor ata nuk u lejuan të futeshin në Kuvend nga garda, dhe deputetët e opozitës bllokuan hyrjet e Kuvendit për të penguar kolegët e tyre socialist të merrnin pjesë në seancën parlamentare. Për shkak të rrëmujës që u zhvillua jashtë, seanca parlamentare zgjati vetëm 30 minuta, ndërsa deputetët që u penguan të futeshin dogjën në oborr 4 manekinë dhe deklaruan se nuk do të ketë më normalitet./ZËRI