
TIRANË- Një 27-vjeçar është vënë në pranga ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim pasi dyshohen se kanë vënë lëndë plasëse në një banesë në Vorë. Oltion Çeça në bashkëpunim me Ajet Dokun vendosën tritol në banesën e Elton Muçës. Nën hetim janë vënë dhe dy persona të tjerë, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar autorët. Në banesën e tyre në Fushë-Prezë, policia gjeti sasi municioni luftarak dhe me veshje që autorët e dyshuar kanë përdorur gjatë ngjarjes, një automjet dhe 5 celuarë.
Shkak për ngjarjen e ndodhur në 19 shkurt të këtij viti, janë bërë konfliktet pronari i banesës, ka pasur në Londër të Anglisë për aktivitetin e paligjshëm të kultivimit të kanabisit apo “shtëpive të barit”, shkruan TCH. Dyshohet se autorët e ngjarjes, janë paguar nga Londra për të bërë të mundur vendosjen e lëndës plasëse në banesën e Elton Muçës.
Njoftimi i policisë:
Komisariati i Policisë Nr. 7, Tiranë, Sektori i Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale e Kërkimin dhe Forca e Posaçme "Shqiponja" finalizuan operacionin e koduar "London".
U vu në pranga shtetasi O. Ç., 27 vjeç, dhe po punohet për kapjen e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit A. D., 27 vjeç, të cilët dyshohet se kanë vënë lëndë plasëse në banesën e shtetasit E. A. Gjithashtu, në kuadër të operacionit u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit P. S., banues në Fushë Krujë, dhe A. C., banues në Fushë-Prezë.
Policia, në kontrollet e banesave të këtyre të fundit, gjeti sasi municioni luftarak, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me veshje që autorët e dyshuar kanë përdorur gjatë ngjarjes, një automjet dhe 5 celuarë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
/ZËRI