Aktualitet

Transmetoi ndeshje të pirateruara, AMA i heq licencën TIBO-s

AMA, me vendim unanim, i ka hequr licencën e transmetimit TIBO-s, pasi transmetonte ndeshje pirate të kampionatit italian.

D.XH
Transmetoi ndeshje të pirateruara, AMA i heq licencën TIBO-s
AMA

TIRANË – Autoriteteti i Mediave Audiovizive i ka hequr licencën platformës TIBO, për shkak të transmetimeve pirate dhe të përsëritura të ndeshjeve të kampionatit italian të futbollit. Vendimi është marrë unanimisht nga të shtatë anëtarët e bordit.

Ky është vendimi i fundit i AMA-s, pasi platforma më herët ka injoruar gjobën, por edhe paralajmërimet për ndërprerje të transmetimit. Ky vendim i AMA-s ndaj TIBO-s, vjen në kohën kur ndaj kësaj platforme ka pasur një sërë ankesash.

TIBO ka qenë në dijeni nga shoqëria Tring se të drejtat e transmetimit për ndeshjet e Seria A në territorin e Shqipërisë i kishte vetëm kompania Digitalb. Nuk është hera e parë që TIBO transmeton programe, të cilat platformave të tjera televizive u kanë kushtuar dhjetëra miliona euro. Kjo plaformë transmetonte edhe ndeshje të La Ligës, duke dëmtuar transmetuesit televiziv që kishin paguar për të sjellë në TV-të shqiptare sfidat e këtij kampionati.

Edhe më datë 6 dhjetor të këtij viti, AMA la në fuqi gjobën për platformën TIBO, akuzuar nga shumë operatorë televizivë për vjedhje të programeve. Bordi i Autoritetit të Mediave Audiovizive ka refuzuar ankimimin e TIBO-s, pasi ishte dënuar më datë 2 nëntor 2023 me 2 milionë lekë të reja gjobë dhe urdhëroi që TIBO të ndërpresë menjëherë transmetimin e programeve, për të cilat nuk ka licensë transmetimi.

Nga 7 anëtarët e bordit 1 muaj më parë, 2 dolën kundër e ata ishin Besian Zogaj dhe Jetmir Halilaj. 5 anëtarët e tjerë kanë votuar për të lënë në fuqi masat administrative ndaj platformës. Kjo platformë kishte një historik tepër problematik sa i përket shkeljes së ligjit dhe vjedhjen e programeve apo prodhimeve të operatorëve të tjerë televizivë. Pasi edhe ndaj paralajmërimeve, TIBO ka vijuar me transmetimet, platformës iu hoq licensa ditën e sotme./ZËRI/

Poll

MOS HUMB