
TIRANË- Një aksident i rëndë i ndodhur më 2 shkurt të vitit që lamë pas i mori jetën Avni Gjunit. Por me largimin e tij nga jeta, e veja do të duhej të përballej me prindërit e tij që e konsideronin pronë. Pas ndarjes nga jeta e të shoqit në aksidentin e ndodhur në Tiranë, është përballur me prindërit e tij, që ngushëllimin për humbjen e të birit e gjetën tek nipi i tyre. Aq shumë saqë nuk e pranuan dot që e reja të niste sërish jetën pas tragjedisë që i ndodhi.

Sot, në rrëfimin e saj, ajo ka bërë me dije se që pas humbjes së bashkëshortit kishte kërkuar që të kthehej tek shtëpia e prindërve, por ka hasur rezistencë nga vjehërrit e saj. Fillimisht për veten dhe më pas për nipin e tyre, të cilin duket se ishin të vendosur që donin ta rrisnin vetë. Megjithatë, duke marrë parasysh edhe humbjen që ata kanë pasur, e reja e lejonte djalin që të takonte gjyshërit e tij, pa e ditur se ata do ta rrëmbenin një ditë. Aktualisht, gjyshi Rexhep Gjuni është në pranga, por gruaja e tij ende nuk dihet se ku ndodhet. Mendohet se ajo është me të miturin, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që të jetë larguar nga Shqipëria./ZËRI