
TIRANË- Jorgo Goro, ish-kryebashkiaku i Himarës është lënë në masën “arrest me burg” nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ai akuzohet për shpërdoruar detyrën, duke i dhuruar 4 dynymë tokë kryebashkiakut në detyrë Arqile Bollanos. Sipas Top Channel, Bollano pretendon se pronën e kishte fituar si përdorues faktik i saj dhe se ka zbatuar ligjin.
“E kam patur në përdorim pas viteve 1990 dhe para disa vitesh kam mbjellë ullinj dhe në 2013 u vura në dijeni se përmes një VKM-je i jepej e drejta përdoruesit ta marrë tokën në pronësi,”- tha Bollano.
Por, si i kaluan tokat Bollanos?
Dy sipërfaqe toke të quajtura “Vllatorja” dhe “Moskato” me vlerë 1 milionë euro i përkisnin mësuesit të 9-vjeçares, Irakli Likoka, por prej disa vitesh i ishin marrë padrejtësisht.
Për të kërkuar të drejtën e tij, mësuesi bëri kallëzim në Prokurorinë e Vlorës dhe më pas çështja i kaloi Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila kërkoi një arrestim të dytë për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro dhe jo vetëm.
Hetimet vazhdojnë edhe për kryebashkiakun e përkohshëm të Himarës, Arqile Bollano, i cili është edhe përfitues i pronës, e një nënpunës tjetër i quajtur Oleg Goro. Si Bollano edhe Goro, rezulton të kenë përpiluar listën e personave që do të përfitonin tokë në Himarë dhe ndër to, kanë futur edhe veten, me pretendimin se nuk kishin përfituar nga ligji 7501 dhe duhet të pajiseshin me tokë.