
TIRANË- Një tjetër produkt i skaduar shitet në një nga pikat e “Big Market”. Një kliente ka denoncuar praninë e një produkti të skaduar në raftet e një supermarketi të rrjetit Big Market në Elbasan, konkretisht në lagjen 'Dyli Haxhire'. Foton, klientja e ka dërguar në redaksinë e “Joq”, ku shihet se bëhet fjalë për salçiçet të fabrikës “Tona”.
Data e skadencës e shkruar mbi produkt është 27.03.2025, ndërkohë që fotoja është bërë më 5 prill 2025, që do të thotë se produkti është mbajtur në raftet e marketit, edhe pse ka skaduar.

Denoncimi:
"Përshëndetje JOQ! Dua të denoncoj një produkt të skaduar që u gjend në raftet e një pike të rrjetit Big Market. Ky produkt është i skaduar dhe vazhdon të ofrohet për konsumatorët, gjë që përbën rrezik për shëndetin publik. Ku është AKU?! Stafi tha që ka ndodhur një gabim dhe se do e rregullojnë. Por nuk është hera e parë që gjej produkte të skaduara."
Kjo nuk është hera e parë që qytetarët denoncojnë produktet e skaduara në markete. Herë pas here, qytetarët përballen me situata të tilla që tregojnë se kontrollet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit janë inekzistente.