Aktualitet

Tirana, tokë e "xanun" nga kullat! ZËRI monitoron kantieret, çdo hapësirë publike është zaptuar

ZËRI ka bërë një monitorim në kantieret ku aktualisht po punohet dhe thuajse të gjitha kompanitë e ndërtimit kanë zënë trotuaret e parkimet në lagjet e banorëve duke e bërë të vështirë kalimin në rrugë dhe të pamundur pushimin e mjeteve.

Florida Mingla
Tirana, tokë e "xanun" nga kullat! ZËRI monitoron kantieret,
Kullat dhe gazetarja Florida Mingla

TIRANË- Tirana ka shënuar rekord për numrin e lejeve të ndërtimit gjatë vitit 2021, referuar të dhënave të INSTAT. Referuar të dhënave zyrtare të popullsisë, për secilin prej rreth 860 mijë banorëve të Tiranës u shtuan 2 metra katror ndërtim. Ndërtimi sjell padyshim zhvillim, por paralelisht krijon një kaos në rrugët e Tiranës, kryesisht me parkimin që ka qenë plaga e përhershme e kryeqytetit.

ZËRI ka bërë një monitorim në kantieret ku aktualisht po punohet dhe thuajse të gjitha kompanitë e ndërtimit kanë zënë trotuaret e parkimet në lagjet e banorëve duke e bërë të vështirë kalimin në rrugë dhe të pamundur pushimin e mjeteve.

Ekspozita Building

Ekspozita Building po ngrihet pranë zonës së ish-Ekspozitës, një nga pikat më të lakmuara të Tiranës, por rrethimi i bërë nga kompania “Victoria Construction”, ka bërë që qytetarët të mbetet pa vende parkimi.

“Ekspozita Building”, është 93 metra e lartë dhe kjo kullë do të jetë kulla e dytë më e lartë në bulevardin ”Gjergj Fishta”, pas kullës Dowtown Tirana, pranë Rrugës së Elbasanit, e cila gjithashtu ka sjellë problematika.

Downtown Tirana

Kastrati Construction e cila sot është investitorja dhe pronarja e vetme e kullës “DownTown” ka ngushtuar trotuarin për të mundësuar kalimin e qytetarëve. Por sa e sigurtë është kjo mënyrë? Shumë i shmangen nga frika se mos pësojnë dëmtime dhe kalojnë në rrugë, duke u rrezikur njësoj, por këtë herë, nga makinat.

"Riverside Residences"

"Riverside Residences", i pozicionuar në rrugën “Javer Malo” dhe zgjatimin e Bulevardit Gjergj Fishta është projekti i radhës që ka bllokuar të gjithë trotuarin e zonës. Si në rastet e tjera, edhe këtu, qytetarët ndajnë çdo ditë të njëjtën korsi me makinat.

Shoqëria “Mane TCI”

Një leje ndërtimi për rezidencë me mur rrethues me zhvillues ambasadën e Republikës Popullore të Kinës dhe projektues shoqërinë “Mane TCI” sh.p.k., është kthyer në një makth për banorët pranë urës së Nisharakut. Për plot 48 muaj që përkthehen në katër vite, të gjithë ata që jetojnë në këtë zonë, do të duhet të kërkojnë për vende parkimi ekstra, pasi lagjia e tyre, tashmë është një kantier.

“White Tower”

Rruga “Jusuf Vrioni” është kthyer gjithashtu në një kantier ndërtimi pasi “Duni Construction” pikërisht buzë kësaj rruge, po ngre godinën “White Tower” që nesër do tu shërbejë qytetarëve për të jetuar, por sot, nuk është gjë tjetër veçse një hall për ta.

Intercontinental

E njëjta situatë përshkruhet dhe në bulevardin “Zogu 1” përballë Ministrisë së Drejtësisë, apo edhe në sheshin “Skënderbej” ku ndërtimi i hotelit “Intercontinental” nga “Geci Group”, ka kufizuar dhe qarkullimin. Kalimi në vizat e bardha është bërë e pamundur gjithashtu, për shkak të rrethimit nga kompania e ndërtimit.

Nuk mund të lëmë pa përmendur faktin që vetëm në janar të këtij viti, një skelë zuri poshtë babë e bijë duke i plagosur. Incidentet dhe aksidentet brenda dhe jashtë këtyre rrethimeve kanë qenë të panumërta në vendin tonë,

Ritmet në ndërtime duket se nuk kanë ndërmend të ndalen, por nuk duhet harruar që zhvillimet e vrullshme demografike dhe zhvendosja e popullatës nga zonat rurale në ato urbane, nuk kërkojnë vetëm shtimin e apartamenteve, por dhe trotuare e parkime të lira. Kjo, pa iu futur pikëpamjes së arkitekturës.

Poll

MOS HUMB