
TIRANË- Shërbimi Meteorologjik Ushtarak në një parashikim të motit për javën që vjen njofton se acari do të vijojë. E hëna nuk do të vijë me mot më të butë e me temperatura më të larta, përkundrazi! Masat ajrore polare dhe frontet e ftohtë që kanë përfshirë territorin tonë do të vazhdojnë që të ulin temperaturat. Ditën e Martë dhe të Mërkurë do të kemi mot të paqëndrueshëm me reshje shiu me intensitet mesatar e lokalisht të lartë. Reshjet do të jenë në formën e rrebesheve të shpejta dhe stuhive. Bora do të jetë prezente në veri, verilindje dhe juglindje kryesisht me intensitet deri mesatar në zonën e Bajram Currit, Kukësit, Peshkopisë dhe Korçës.
Era do të fryjë nga kuadrati i veriut 2-9m/s, hera-herës në bregdet dhe lugina fiton shpejtësi 13-25m/s duke u bërë problematike. Valëzimi në dete do të jetë i forcës 2-5 ballë. Ditën e Enjte dhe të Premte moti parashikohet me alternime të herëpasherëshme vranësirash, të cilat do të pasohen me reshje shiu me intensitet ulët.
Nga ana tjetër, Instituti i Gjeoshkencave ka ndarë një grup këshillash, kryesisht përsa i përket udhëtimit në kushtet e motit të ftohtë, dëborës, akullit dhe ngricës. Për shkak se gjatë dimrit kushtet atmosferike, si mjegulla, shiu, dëbora dhe akulli e vështirësojnë drejtimin e automjetit, IGJEUM ka ndarë për qytetarët disa këshilla që nuk duhen anashkaluar.
Ka disa tregues specifikë të cilët duhet të mbahen parasysh: informohuni për motin në zonën ku do shkoni përpara udhëtimit; nuk rekomandohet lëvizja pa zinxhirë; evitoni në maksimum lëvizjet në orët e vona, e sidomos natën. Mjegulla e bën rrugën më të padukshme, ul shíkueshmërinë dhe zvogëlon mundësinë e frenimit në asfalt. Në këto raste: ulni shpejtësinë; ruani distancën; mbani dritat gjithnjë ndezur.
HARTA LIVE: