
TIRANË-Më 5 korrik në teatrin antik të Butrintit mbahet një dëgjesë publike mbi projektin “Qendra e vizitorëve në Butrint”. Posteri i shpërndarë zyrtarisht ka megjithatë një gafë, në vend të emërtimit 'Teatri Antik i Butrintit' është shkruar 'Teatri Kombëtar i Butrintit'. Gafa bëhet më e qartë nëse kemi parasysh se Shqipëria ka vetëm një institucion që njihet si teatër kombëtar dhe po aq, imazhi përfaqësues i Butrintit është pikërisht teatri antik që shihet edhe në poster.

Pas posterit ka reaguar ish drejtori i Butrintit Auron Tare, ndërsa Butrinti prej kohësh është në qendër të debateve për planin e menaxhimit, zonën e mbrojtur, ndërtimet dhe UNESCO-n. Tare e ka quajtur tallje dhe injorancë.
Reagimi i plotë:
Në këtë vend ku mjekët vrasin të sëmurët nuk ka mbetur më asgjë për tu suprizuar. Megjithatë kur lexon një poster të tillë të paktën ne që merremi me Trashëgiminë Kulturore e kuptojmë se sa poshtë ka rënë ky Institucion i rëndësisë Kombëtare. Lexoni posterin qe ka nxjerre Ministria e Kultures dhe ku ka edhe logot e disa Institucioneve te tjera qe do te kryejne administrimin e Butrintit ne emer te popullit shqiptar. Lexoni se cfarë injorantësh janë këta zyrtare dhe do te kuptoni se shkatërrimi i Institucioneve të Trashëgimisë me sa duket bëhet me një qëllim të caktuar. Ministria e Kulturës, BMF ( që tingellon si ai stacioni i kengeve kitch me çingije) dhe ca të tjerë e quajnë Teatrin Antik të Butrintit një Teatër Kombëtar. O injorantë po ku dreqin jeni mbledhur të gjithë bashkë se na kallët krupën me këto idiotësi. Ju ka votuar edhe Parlamenti i Republikës që të talleni me Trashëgiminë. TURP.