Aktualitet

"Pazari i vdekjes" në Spitalin Onkologjik, skema e mashtrimit mijëra euroshe në kurriz të të sëmurëve me kancer

Nëse një pacient kërkonte të merrte shërbim pranë Onkologjikut, mjekët i flisnin për radhë të gjata e pritje të padurueshme, që në fakt rezultojnë të jenë fiktive.

Florida Mingla
"Pazari i vdekjes" në Spitalin Onkologjik, skema e mashtrimit
Mjekët e Spitalit Onkologjik dhe gazetarja Florida Mingla

TIRANË- Ndërkohë që raportimet e bëra ndër vite për spitalin Onkologjik flasin për pritje në radhë e mungesë medikamentesh e të aparaturave për qytetarët që kërkonin të merrnin shërbimin për trajtimin e sëmundjeve tumorale, mjekët dhe punonjësit e këtij spitali rezultojnë të jenë të përfshirë në një skemë mashtrimi. Edmond Gashi, mjek pranë Spitalit Onkologjik, Emiljano Lela, koordinator pranë Spitalit Onkologjik, Alketa Ymeri (Pere), Mjeke pranë Spitalit Onkologjik, Brikena Qirjazi zëvendësdrejtoreshë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, duke sajuar radhë fiktive i orientonin pacientët në klinikën private “Megis” për të marrë trajtimin e nevojshëm për kurimin e tumorit. Klinika rezulton se është në administrim të Halil Gashit, ndërsa dy personat e tjerë për të cilët është lëshuar gjithashtu masë sigurie, janë identifikuar si Florian Marku dhe Drilona Kishta. Marku ishte administratori i farmacisë 'Flori Farma’ nga ku merreshin medikamentet për trajtimin e pacientëve, të cilat shiteshin kontrabandë të dyshuara dhe të falsifikuara, duke rënduar kështu situatën.

Por si ishte e ndërtuar e gjithë skema?

Nëse një pacient kërkonte të merrte shërbim pranë Onkologjikut, mjekët i flisnin për radhë të gjata e pritje të padurueshme, që në fakt rezultojnë të jenë fiktive.

Por duke marrë parasysh sëmundjet e rënda që trajtohen në këtë spital, qytetarët prireshin të shkonin drejt privatit. Këtu hynte në lojë orientimi i mjekëve që i dërgonin në klinikën “Megis”, në pronësi të Gashit, ku pacientët paguanin mijëra euro për një shërbim që mund ta merrnin në shtet.

Por nuk mbaron me kaq!

Disa prej barnave që janë sekuestruar rezultojnë se janë për përdorim spitalor, specifikisht në departamentin e Onkologjisë. Pra, mjekët jo vetëm që po shpërdoronin detyrën, por edhe medikamentet që mund të gjenden vetëm tek Onkologjiku, i kalonin në klinikën private.

Kur një pacient kërkonte dozën tek Onkologjiku, i jepej një sasi e vogël, pjesa tjetër gjendjej në klinikën “Megis”.

Kjo sillte përfitim të dyanshëm për të përfshirët në këtë skemë.

Gjithashtu në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë por nuk vendosej në punë, pasi ishte lënë jashtë kushteve të përdorshmërisë duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët, për shkak të rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje.

E gjithë kjo skemë mund të konsiderohet ‘pazari i vdekjes’.

Përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren, blerjet e simuluara, ashtu edhe me veprime te hapura hetimore kanë zbuluar se si personat të cilëve u besojmë jetën tonë, të njerëzve tanë më të shtrenjtë, kanë shkelur me të dyja këmbët, jo vetëm ligjin, por edhe betimin e Hipokratit që kanë bërë në momentin që kanë veshur bluzën e bardhë.

Dhe ndëshkimi i vetëm që ata marrin është lënia në masën ‘detyrim paraqitjeje’ apo ‘arrest shtëpie’.

A e shlyen kjo gjë dëmin financiar e psikologjik të shkaktuar në mijëra pacientë?

Po sorollatjen e tyre për të gjetur zgjidhjen që i mban në jetë?

Poll

MOS HUMB