
TIRANË- Ish-i dashuri i 30-vjeçares, e cila lindi foshnjen në bodrumin e një pallati në Yzberisht më 8 nëntor dhe e braktisi aty, ka rrëfyer se ajo nuk i ka treguar se ka qenë shtatzënë. Sipas tij lidhja mes tyre ka zgjatur vetëm dy muaj, ndërkohë që janë takuar vetëm njëherë.
Ish i dashuri i 30-vjeçares deklaroi se është i gatshëm të kryejë testin e ADN-së së fëmijës, i cili ndërroi jetë një ditë pasi u gjet në bodrum, dhe nëse rezulton që djali është i tiji, u shpreh se “s’do ia fal kurrë”.
Ai shtoi se në dijeni të marrëdhënies së tyre ka qenë edhe nëna e 30-vjeçares, e cila ishte dakord për lidhjen e tyre.
“Lidhja jonë gati 2 muaj e ca ka zgjatur. Të kryhet testi i ADN-së. Jemi takuar vetëm njëherë. Isha pak xheloz, kërkova avancimin e lidhjes por nuk pranoi. Se kam mbajtur mbyllur, ajo ishte në Tiranë unë në Korçë.
Mamaja ishte dakord, por vajza jo. Unë me vajzën flisja edhe si shokë. Por nuk e kam ditur që ishte shtatzënë. Kemi folur edhe në kamera, por se kam dalluar që ishte shtatzënë. Gati 1 muaj kam folur me të dhe nuk kuptohej që ishte shtatzënë”, tha ai.
Në një intervistë të dhënë sot, nëna që braktisi fosnjën e porsalindur, tha se e kishte njoftuar ish-të dashurin e saj kur kishte qenë në muajin e tretë të shtatzënisë, por ai nuk e kishte pranuar atësinë e foshnjës.
Lidhja e tyre ka zgjatur pak, ndërsa sipas vajzës, familja nuk ka qenë në dijeni, as të lidhjes dhe as të shtatzënisë deri në javët e fundit. Foshnja e porsalindur u gjet e braktisur javën e kaluar në Tiranë, në garazhin e një pallati. Foshnja ndërroi jetë në maternitet, si pasojë e hipotermisë, dhe të kushteve në të cilën i porsalinduri ishte lënë.
/Zëri.ai