
TIRANË- Ish-ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj, një prej socialistëve më të sulmuar nga opozita, dhe i etiketuar si truri i koncensioneve dhe PPP-ve në sektorin e mjekësisë, është një person që po hetohet intesivisht nga ana e SPAK.
Pas vënies në masën e detyrimit për t’u paraqitur çdo të premte përpara oficerit të policisë gjyqësore, për koncensionin e sterilizimit, për Ilir Beqajn ka nisur një hetim i ri, që nënkupton edhe kalimin në filtër të pasurisë së tij, por edhe favoreve që dyshohet se ka dhënë për miqtë, në kohën kur ishte ministër.
Prej pothuajse 24 orësh, agjentët e BKH-së kanë kryer kontrolle në banesën, zyrën e Ilir Beqajt por dhe në kompaninë Delta Pharma dhe rrjetin e farmacive Ditë e Natë, të cilat dyshohet se janë favorizuar nga ish-ministri. Në lojë hyjnë dhe lidhjet familjare, pasi bashkëshortja e Ilir Beqajt, është njëherësh dhe aksionere në një prej kompanive që janë vënë nën lupën e SPAK. Beqaj e ka nisur karrierën e tij në administratën publike, fillimisht si drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, për të ngjitur më pas shkallët si ministër.
Paralelisht në vitin 2013, ai shiti 51 për qind të aksioneve të kompanisë INTECH+ tek shoku i tij, Sokol Sinani, me vlerën financiare prej 183 milion lekë të vjetra, edhe pse biznesi në fjalë kishte fitime të konsiderushme në atë kohë. E njëjta kompani ka fituar më pas tendera publikë, ndërkohë që lidhjet e Beqajt dhe miqve të tij janë të njohur dhe në koncensionin e sterilizimit. Sa i takon pasurisë së bërë publike, Beqaj dhe familja e tij deklarojnë disa apartamente në Tiranë, por edhe llogari bankare.
Ilir Beqaj dhe gruaja e tij, Adriana Beqaj, në datën 19 dhjetor 2016 janë bërë pronarë të një apartameni me sipërfaqe 198.92 metra katror në Tiranë, pasyyri e cila është blerë kundrejt një shume prej 142 mijë eurosh. Gjithashtu në të njëjtën datë 19 dhjetor 2016, Ilir Beqja dhe gruaja e tij, në të njëjtin pallat ku blenë apartamentin, rezultojnë të kenë blerë dhe një garazh me sipërfaqe prej 20 metra katror.
Një tjetër pronë me vlerë mbi 150 mijë euro, Ilir Beqaj e ka rregjistruar qysh prej muajit Shtator 2001, dhe pasuria ndodhet në rrugën “Gjin Bue Shpata”, që ndodhet mes zonës së ish-bllokut dhe stadiumit “Selman Stërmasi”. Kjo pasuri rezulton e rregjistruar në emër të Ilir Beqaj, vëllai të tij, Fatos Beqaj dhe nënës, Lirije Beqaj.
Në emët të Ilir Beqaj, rezulton i regjistruar gjithashtu dhe një apartament që ndodhet në rrugën “Pjetër Bogdani” me sipërfaqe 96 metra katrorë. Por këtij apartamenti në 13 shtator 2010 i është vendosur në kartelën e pasurisë, shënimi i rregjistrimit në favor të “Alpha Bank”.
Nga ana tjetër bashkëshortja e Beqajt, është pronare e ““Albania Ionian Coast Olive Oil”, “Proinvest Al”. Kompania “Albania Ionian Coast Olive Oil” është hapur në Sarandë në vitin 2019 mes Renata Sinanit dhe Adriana Beqaj, e cila ka si objekt mbjelljen dhe kultivimin e pemëve të ullirit dhe prodhimin e vajit të ullirit me qëllim eksportimi. Adriana Beqaj deklaron një nipt si Fermere me Nr.L84121931F, nga i cili ka fituar rreth 3 milion lekë të vjetra.
Pikërisht vendosja e këtyre pasurive është objekt i hetimeve nga ana e SPAK. Vetë Beqaj nuk e ka fshehur luksin, e madje as në kohë të vështira siç ishte pandemia e Covid 19. Në vitin 2020, Beqaj akuzohej nga rivali i tij në opozitë, Edi Paloka, se reklamonte ushqimet e luksit, në një kohë që shqiptarët përballeshin me sistemin e shëndetësisë, që ishte në gjendje mjerane, edhe në sajë të firmave të Beqajt, ku janë firmosur kontrata për miqtë dhe të afërmit e tij.
Sa i takon kontrolleve që janë kryer në 24 orët e fundit, SPAK nuk ka dhënë asnjë detaj për mediat, duke qenë se çështja është nën hetim dhe paraqitet si sekret hetimor. Vetë Beqaj po ashtu nuk ka bërë një koment, ndërsa pak javë më parë teksa u vendos nën masë sigurie, tha se ishte i gatshëm që të qëndronte dhe të përballej me drejtësinë.
Beqaj do të mbahet mend edhe për shkarkimin që i bëri Drejtorit të Fondit të Kujdesit Shëndetësor në Tropojë, Ndriçim Hajdarmataj, pasi ky i fundit mungoi në mbledhjen e PS-së, në Tropojë. Me shprehjen “Suksese në jetë” Beqaj rrjedhimisht i njoftonte atij shkarkimin. Tashmë disa vite më pas, a ka ardhur koha që SPAK ti thotë ‘suksese pas hekurave’ Beqajt?! /ZËRI