
TIRANË- Është shoqëruar me incidente tubimi që ishte thirrur te mbahej mesditën e sotme në Tiranë, kundër bombardimeve të Izraelit mbi popullsinë civile në Gaza. Kanë qenë punonjës të policisë ata që kanë bllokuar vijimin e marshimit, me pretendimin se organizatorët nuk kishin marrë leje më herët për mbajtjen e kësaj proteste, që do të vazhdohej në formë marshimi në drejtim të Bulevardit Dëshmorët e Kombit.
Në këtë moment nuk kanë munguar përplasjet me qindra njerëzit që ishin të pranishëm në shesh.
‘Ju raftë rrufeja të gjithëve, jemi mysliman, kemi të drejtën tonë që të protestojmë’, deklaron një prej grave pjesëmarrëse në këtë protestë. Në sheshin Skënderbej nuk kanë munguar thirrjet “Allahu Akbar”, si dhe "mallkimi i Zotit qoftë mbi kriminelat".
Protesta ishte thirrur që të mbahej nga 6 shoqata, që i përkasin kryesisht besimit islam në Shqipëri. Protesta dhe tubime të tilla janë mbajtur dhe lejuar në shumë qytete të botës, përfshirë dhe vetë SHBA-të.
Një protestë e ngjashme u mbajt në Tiranë dhe në datën 20 Tetor në Sheshin Skënderbej, por duket se kërkesa e sotme për ta zhvendosur tubimin në Bulevard ka qenë e papranueshme për policinë.