TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur edhe këtë të premte pranë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar nga Gjykata e Posaçme për koncesionin e Sterilizimit. Sipas urdhrit, çdo të premte, ai duhet të paraqitet në 15:30 para oficerit të BKH-së.
Beqaj është duke u hetuar dhe për pasurinë e tij, për shkak se ka dyshime që ai të ketë pasur kompani të fshehta përmes njerëzve të tij të besuar. Në një rast ka qenë gruaja e tij aksionere në një kompani farmaceutike, dhe në rastin tjetër vetë Beqaj dyshohet se është pronar i fshehtë i restorantit Gzona që gjendet pranë Kalasë së Tiranës. Ish-ministri akuzohet për “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”, sa i përket procedurës së dhënies së koncesionit të sterilizimit, në kohën që ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ilir Beqaj ndërkohë që po hetohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim, sipas gjyqtarit Erjon Bani, Beqaj edhe ka falsifikuar vula, stampa dhe formularë. Në funksion të hetimeve, në fund të vitit 2023, u ushtruan kontrolle në banesën dhe disa kompani farmaceutike në pronësi të Beqajt./ZËRI