BRADASHESH- Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zhvilluar kontrolle në ambientet e paraburgimit të Bradasheshit. Burime për ZËRI-n bëjnë me dije se kontrollet janë zhvilluar në sektorin ku qëndron biznesmeni Ergys Agasi, ku mësohet se janë gjetur pije alkoolike.
Ergys Agasi, i arrestuar pasditen e 26 gushtit, u transferua mëngjesin e 29 gushtit drejt ambienteve të paraburgimit të Bradasheshit, ku vijon të qëndrojë nën masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Lëvizja e tij erdhi pas vendimit të GJKKO, e cila la në fuqi masën 'arrest me burg' për Agasin. Avokati i Agasit, Maks Haxhia, ka kundërshtuar pretendimet e prokurorisë, duke argumentuar se nuk ka prova konkrete që e lidhin klientin e tij me veprat penale për të cilat akuzohet.
Agasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK si kreu i grupit të strukturuar kriminal, që qëndronte në krye të skemës së abuzimit me tenderat e AKSHI-t. Agasi akuzohet për disa vepra penale, mes të cilave grup i strukturuar kriminal, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Ndërsa iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit pasiv’.
ZËRI raportoi mbrëmjen e 26 gushtit se Agasi ishte duke udhëtuar me një mjet tip 'Audi' nga Elbasani në drejtim të qytetit bregdetar të Durrësit, kur u vendos në ndjekje në një operacion të përbashkët nga SPAK dhe Policia e Durrësit. Forcat Operacionale dhe Policia e Durrësit e kishin konstatuar makinën e Agasit që në qytetin e Elbasanit, ndërsa arrestimi i tij u finalizua në zonën e Plepave në Durrës./ZËRI