
TIRANË- Shtyhen me 3 muaj hetimet për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar më shumë kohë për të hetuar numrin 2 të qeverisë, i cili aktualisht është shpallur në kërkim nga SPAK për disa vepra penale.Me shtyrjen e hetimeve, tashmë SPAK ka kohë deri më 22 dhjetor që të përmbyllë hetimet dhe të 'kopsisë' dosjen për Ahmetajn, i cili prej disa kohësh ndodhet në Zvicër, atje ku raportohet se ka kërkuar edhe azil.
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut 2023. Ai akuzohet për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bëhet fjalë një dosje voluminoze ku ai akuzohet se me veprimet apo mosveprimet e tij ka ndihmuar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri të fitojnë projektet për inceneratorët e Fierit, Tiranës dhe Elbasanit./ZËRI