
TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar një procedim penal ndaj Autoritetit Rrugor Shqiptar. SPAK ka nisur një hetim për shkelje të barazisë në tenderë dhe abuzime me tenderët për mirëmbajtjen e sistemeve të ARRSH për rrugën Korçë-Ersekë, e cila disa ditë më parë u shemb në një segment të saj, në vendin e quajtur Qafa e Qarrit, duke u bërë e pakalueshme.
Rruga e ndërtuar nga kompania “A.N.K." pritej të inagurohej në qershor pasi kishte nisur që në vitin 2013. Tenderin me vlerë 17 milionë euro për lotin e parë e kishte fituar kompania "ANK", më pas 4 milionë euro të tjera u shtuan në vitin 2017. Më pas, puna për lotin e dytë prej 18 kilometrash nisi në vitin 2020, segment që po punohet aktualisht. Në dy tendera të ndryshëm për ndërtimin e kësaj rrugë, u dhanë gjithsej 41 milionë euro, derisa në vitin 2022, shpenzimeve iu shtua dhe një faturë tjetër me 4 milionë euro. Pra, për këtë rrugë me dy korsi, janë dhënë gjithsej 66 milionë euro, e sërish ka pasur dëmtime pa nisur lëvizja e mjeteve.
Pronari i kompanisë "A.N.K" rezulton me 100 % të aksioneve Agim Kola, vëllai i ish-deputetit të PS, Ndue Kola, por ende nuk dihet nëse ndaj tij është lëshuar ndonjë kërkesë për t'u paraqitur në SPAK./ZËRI