
TIRANË- Dy të dënuar që ndodhen nën regjimin 41-bis kanë kundërshtuar vendimin e ministrit të drejtësisë Ulsi Manja. I dënuari me burg përjetë Sokol Mjacaj, i cili vrau në ambientet e burgut të dënuarin tjetër Arben Lleshi, si dhe i burgosuri Ilir Kupa, kanë apeluar vendimin e Manjës në Gjykatën e Posaçme.
Vendimi për vendosjen në regjimin e posaçëm “bis 41” të të famshmit të bandës së “Babagjyshërve”, Alber Kupa alias Ilir Kupa, u mor më 21 Dhjetor, me urdhër të ministrit Manja, pas indicieve se ai ishte përfshirë në veprimtari të paligjshme gjatë kohës së vuajtjes së dënimit.
Ndërsa për Sokol Mjacaj, vrasësin e dy turistëve çek Michael Svatos 27 vjeç dhe Anna Kosinova 36 vjeçe, u mor më 15 Dhjetor, ditën kur edhe i riu vrau në qeli të dënuarin tjetër me burgim të përjetshëm Arben Lleshi pasi mësoi vendimin ndaj tij.
Gjithashtu i plagosur mbeti edhe i burgosuri tjetër, Indrit Shaqja. Vrasja e Arben Lleshit dyshohet se u bë nga Mjacaj kundrejt pagesës, ndërkohë që vetë i dënuari përjetë ka pretenduar se krimin e ka kryer pas një sherri me viktimën për sektorin ku qëndronin në burgun e Peqinit./ZËRI