
TIRANË- Një prind ka denoncuar se fëmija i tij është keqtrajtuar në kopshtin privat “BUÇKO” në Tiranë. Sipas “JOQ Albania”, prindi ka denoncuar se fëmija është sulmuar për dy ditë me radhë nga një tjetër fëmijë në këtë instuticion, ndërsa ka akuzuar stafin pedagogjik dhe drejtuesit e kopshtit për mosreagim dhe përpjekje për të fshehur të vërtetën.
Në deklaratën e tij, prindi shprehet se është informuar vetëm pas shfaqjes së shenjave fizike në trupin e fëmijës, ndërkohë që sulmet kishin ndodhur në mënyrë të përsëritur gjatë gjithë ditës. Ndërsa pretendon se gjatë përballjes me drejtuesit e institucionit, janë shfaqur vetëm pjesë të përzgjedhura të pamjeve nga kamerat e sigurisë, duke u përpjekur të minimizohej rasti.
Por, ngjarja nuk përfundoi me kaq, pasi fëmija është sulmuar sërish edhe në ditën pasuese, sipas prindit, i cili për këtë fajëson edukatoret dhe drejtuesit për neglizhencë dhe mungesë totale përgjegjësie. Më tej, prindi ka nënvizuar se gjatë një momenti kur është tensionuar, është filmuar fshehurazi nga stafi i kopshtit, gjë që e konsideron si një përpjekje për të krijuar materiale komprometuese ndaj tij. Mësohet se ndaj kopshtit është ngritur një një kallëzim zyrtar pranë Komisariatit përkatës të Policisë, teksa prindi ka vënë në dispozicion të mediave dokumentacionin përkatës që vërteton denoncimin. Më tej, ai paralajmëron se për këtë çështje do ta ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të vënë drejtësi./ZËRI