Aktualitet

Shoqërimi i një 14-vjeçari pasi hodhi kapsolla në Tiranë, Komiteti i Helsinkit: Policia e dhunoi

Prindërit pretendojnë se ndaj djalit të tyre është ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike.

k.m.
Shoqërimi i një 14-vjeçari pasi hodhi kapsolla në
Foto ilustruese

TIRANË- Komiteti i Helsinkit ka bërë një ankesë, lidhur me shoqërimin e një 14-vjeçari në Komisariatin e Policisë, nr.1 në Tiranë. Sipas një deklarate zyrtare, Komiteti pretendon se prindërit e të miturit kanë bërë ankesë pranë tyre me pretendimin se i biri është dhunuar nga efektivët që e kishin shoqëruar për shkak se kishte hedhur disa kapsolla në zonën e Kodrave të Liqenit në Tiranë. Veprimtari e cila është e ndaluar me ligj. Prindërit pretendojnë se ndaj djalit të tyre është ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike. Në raportin e shoqërimit të efektivëve, shkruhet se i mituri kishte një hematomë në sy, por rezulton se nuk është fizituar nga mjeku. Ky pretendim është hedhur poshtë nga punonjësit e Policisë. 

"Megjithëse në raportin e përmendur më lart ishte shënuar hematoma, nuk rezultoi që i mituri të ishte vizituar nga mjeku i Komisariatit, në kundërshtim me parashikimet e Kreut IV, të Procedurës Standarde “Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në ambientet e Policisë së Shtetit, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre”,"-shkruhet ndër të tjera në reagimin e Komitetit të Helsinkit.

DEKLARATË PËR SHTYP:

Të hetohet me përparësi dhe seriozitet dhuna fizike e ushtruar ndaj të miturit të shoqëruar në Komisariatin e Policisë nr.1 (Tiranë) Në 17.04.2025, shtetasit O.Z dhe E.G, banues në Tiranë, prindër të të miturit 14 vjeçar J.G njoftuan Komitetin Shqiptar të Helsinkit (KShH) se më datë 12.04.2025 pranë zonës së Kodrës së Liqenit Tiranë, djali i tyre J.G ishte ndaluar nga punonjësit e Policisë të Komisariatit Nr. 1, Tiranë për shkak se ishte kapur duke hedhur kapsolla. Në ankesën e tyre ata pretendonin se ndaj djalit të tyre punonjësit e policisë kishin ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike. Për verifikimin e kësaj ankese, më datë 22.04.2025, dy vëzhgues të KShH-së shkuan në Komisariatin Nr. 1. Gjatë këtij verifikimi rezultoi se: 1. Sipas dokumentacionit të kqyrur, i mituri J.G, i datëlindjes 09.11.2010, në datë 12.04.2025, ora 18:40 ishte shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr.1. Shkaku i shoqërimit ishte dyshimi për prishje të qetësisë publike dhe hedhje të lëndëve piroteknike. Në dokumentacion shënohej se pas shoqërimit ishin njoftuar prindërit e tij. 2. Në Raportin e Shoqërimit shënohej se i mituri kishte një hematomë në krahun e syrit të djathtë. Në dokumentacionin e kqyrur nuk rezulton të jetë vizituar nga mjeku. Fakti i mësipërm u mohua nga punonjësit e policisë. Megjithëse në raportin e përmendur më lart ishte shënuar hematoma, nuk rezultoi që i mituri të ishte vizituar nga mjeku i Komisariatit, në kundërshtim me parashikimet e Kreut IV, të Procedurës Standarde “Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në ambientet e Policisë së Shtetit, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre”.

Pritet që për ngjarjen, të ketë një version edhe nga ana e Policisë së Shtetit./ZËRI

Poll

MOS HUMB