Aktualitet

GJKKO lë në burg Veliajn, nuk ndryshon masa as për Abulen/ SPAK informon gjyqtarin për hetimet

Hetuesit e Strukturës së Posaçme zbuluan se deri më tani janë kryer 114 veprime hetimore në çështjen në ngarkim të Veliajt.

k.m.
GJKKO lë në burg Veliajn, nuk ndryshon masa as për Abulen/ SPAK
Erion Veliaj

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg" për kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj. Gjatë seancës së sotme, trupa gjykuese e kryesuar nga Erion Bani u njoh me informacionin dy mujor dhe hetimor të kryera nga SPAK. Hetuesit e Strukturës së Posaçme zbuluan se deri më tani janë kryer 114 veprime hetimore në çështjen në ngarkim të Veliajt. Duke përfshirë këtu edhe kontrollin e celularëve të sekuestruar, por edhe janë marrë dëshmi të reja.

Në këto kushte, përfaqësuesit e SPAK kanë kërkuar që masa e sigurisë “arrest me burg” të vazhdojë, ndërsa nga ana tjetër, avokatët kërkuan shuarjen e masës së sigurisë. Si përfundim, masa e sigurisë u la në fuqi.

Nga ana tjetër, edhe biznesmeni Elman Abule kërkoi sot revokimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”. Biznesmeni kërkoi një masë më të butë, por nuk ndryshoi. Pas seancës së sotme, avokatët e Veliajt do t’i drejtohen me rekurs Gjykatës së Lartë kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që u dha më 13 Mars.

Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'.

Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar vila në Qerret, ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online. Veliaj është lënë në masën "arrest me burg", ndërsa Xoxa në "detyrim paraqitje", ndërsa për 6 biznesmenët që dyshohen se kanë bashkëpunuar me Veliajn janë lënë në "arrest shtëpie" dhe "detyrim paraqitje."/ZËRI

Poll

MOS HUMB