
TIRANË- Këshilli i Ministrave i ka hapur rrugën ngritjes së Agjencisë së Inteligjencës Financiare, institucion ky në varësi të Ministrisë së Financave dhe që zëvendëson drejtorinë e përgjithshme të parandalimit të pastrimit të parave. Struktura dhe organika e saj do të miratohen me urdhër të Kryeministrit. Agjencia nuk do të ketë vetëm detyrën e parandalimit por dhe të zbulojë raste të pastrimit të parave. Rastet do t’i referohen më pas SPAK-ut, SHISH apo dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese. Bashkëpunim do të ketë edhe me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me transaksionet e dyshimta të pastrimit të parave por dhe financimit të terrorizmit. Në fokus do të jetë dhe gjurmimi i atyre transaksioneve që bëhen në kriptovaluta.