Aktualitet

Shuhet pas 24 orësh zjarri në Elbasan, Prokuroria nis hetimet

Pas 24 orëve janë shuar flakët tek metalurgjiku në Elbasan. Zjarri ishte i përmasave të mëdha, duke shkaktuar ndotje masive të ajrit. Prokuroria ka nisur hetimet.

D.XH
Shuhet pas 24 orësh zjarri në Elbasan, Prokuroria nis hetimet
Zjarri tek Metalurgjiku

ELBASAN – Zjarri që ra paraditen e djeshme në fushën e grumbullimit të skrapit të kompanisë “Kurum” në Elbasan po shkon drejt shuarjes. Pas 24 orëve, flakët janë vënë nën kontroll, ndërsa ndotja në qytet nga zjarri është e madhe. Tashmë, Prokuroria e Elbasanit, në bashkëpunim me policinë, kanë nisur hetimet për ndotjen e ajrit ndaj kompanisë Kurum.

Bashkia Elbasan, përmes një njoftimi për mediat, është shprehur se kushdo që ka shkaktuar flakët e mëdha, duke sjellë pasoja në ndotjen e qytetit, duhet të mbajë përgjegjësi.

Paraditen e së hënës, në stacionin zjarrfikës të Elbasanit është njoftuar për një zjarr të shfaqur pranë zonës së ish Kombinatit Metalurgjik. Menjëherë ekipet tona kanë shkuar në vendngjarje. Zjarri kishte përfshirë pikën e grumbullimit të skrapit pranë një biznesi privat që operon në zonën e metalurgjikut. Për më shumë se 15 orë luftë me flakët ekipet tona, të ndihmuara nga bashkitë fqinje dhe emergjencat civile kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve, ndërkohë ende po punohet për eleminimin e shkarkimeve të tymit. Edhe pse ndërhyrja e ekipeve tona zjarrfikëse, me të gjithë kapacitetin e mjeteve dhe burimeve njerëzore mbetet për t'u lavdëruar, shqetësim përbën faktit i shkarkimeve të dëmshme në ajër. Tashmë që faza e emergjencës ka kaluar Kryetari i Bashkisë ka kërkuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse të hetojnë deri në fund për shkaqet dhe pasojat e kësaj ngjarje. Që prej ditës së djeshme Z. Llatja ka qenë në kontakte të vazhdueshme me të gjitha institucionet për të bashkëpunuar për zbardhjen e plotë të shkaqeve të zjarrit dhe pasojave. Kushdo që për orë të tëra shkaktoi ndotje masive për qytetarët e Elbasanit duhet të mbajë përgjegjësit përkatës,”- njoftoi Bashkia e Elbasanit.

Dyshimet janë se zjarri është shkaktuar nga një bateri, e cila më pas është përhapur në mbetjet e tjera në pikën e skrapit.

Drejtuesi teknik i sigurisë se jashtme të Kurum, Mërkur Çipi pranoi se zjarri ka pasur pasoja në ndotjen e madhe të ajrit, duke shtuar se ngjarja ka qenë aksidentale dhe nuk është bërë nga dora e njeriut. Për shuarjen e zjarrit u angazhuan mjetet e kompanisë dhe zjarrfikësit. Grupi hetimor ka administruar prova për të zbuluar shkaqet e këtij zjarri masiv dhe tepër ndotës për qytetin./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB