Aktualitet

22 orë në flakë! Zjarri në pikën e skrapit të ‘Kurum’ shkakton ndotje masive në Elbasan

Zjarri ka depërtuar në thellësi të pikës së skrapit, duke e vështirësuar punën e zjarrfikësve për ta vënë nën kontroll

E.K
22 orë në flakë! Zjarri në pikën e skrapit të
Pamje nga zjarri ne piken e skrapit te Kurum

ELBASAN- Zjarri që ra paraditen e djeshme në fushën e grumbullimit të skrapit të kompanisë "Kurum" në Elbasan vijon që të jetë aktiv edhe mëngjesin e kësaj të marte. Tashmë prej pothuajse 22 orësh zjarri nuk është vënë ende nën kontroll, ndërkohë që sasia e tymit dhe helmeve që është emetuar në qytet është shumë e madhe. Zëri.ai solli pamje gjatë ditës së djeshme, ku flakët e zjarrit kishin marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar dhe jetën e zjarrfikësve që po punonin për shuarjen e vatrës aktive.

Në pikën e skrapit të Kurum kanë qenë të pranishëm dhe kryebashkiaku i Elbasanit Gledion Llatja dhe kreu i emergjencave civile Haki Çako. Ky i fundit është shprehur se ndërhyrja nga ajri për të shuar zjarrin është e pamundur, ndërkohë që deri tani kanë dështuar të gjitha tentativat për vënien nën kontroll të flakëve.

Dyshimet e para janë se zjarri është shkaktuar nga një bateri, e cila më pas është përhapur në mbetjet e tjera në pikën e skrapit. Mërkur Çipi, drejtues teknik i sigurisë se jashtme të Kurum tha se dyshohej që shkak ka qenë një bateri që ndodhej në grumbullin e skrapit. Ai pranon që është një dëm i madh për mjedisin dhe pasojat janë të rënda.

“Në orën 10 e 25 minuta ka dalë një shkëndijë tymi në pjesën e sipërme. Është një fatkeqësi për Kurumin dhe për të gjithë ne. Janë materiale plastike nga brenda skrapit të makinave që kanë ardhur nga jashtë”, tha Çipi për gazetarët.

Megjithatë ai këmbënguli se ngjarja ishte askidentale. “Kjo nuk është që është bërë nga dora e njeriut, por është një ngjarje aksidentale”, tha ai.

Për shuarjen e zjarrit u angazhuan mjetet e kompanisë dhe zjarrfikësit. Gjatë kohës së zjarrit kanë ndodhur edhe shpërthime që sipas specialistëve janë bombula gazi të amortizuara. Grupi hetimor ka administruar prova për të zbuluar shkaqet e këtij zjarri masiv dhe tepër ndotës për qytetin.

Ekspertët thotë që shuarja e zjarrit do të jetë e vështirë për shkak se ka depërtuar në thellësi të mbetjeve në pikën e skrapit./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB