
ELBASAN- Drejtuesi teknik i sigurisë së fabrikës 'Kurum', Mërkur Çipi ka pranuar se tymi që del nga zjarri është i dëmshëm. Në një intervistë për mediat që ndodhen në Elbasan, Çipi tha se zjarri ka nisur nga një shkëndijë që nisur nga një bateri. Sipas tij, ngjarja aksidentale është një fatkeqësi, duke theksuar gjithashtu se tymi që çlirohet padyshim është i dëmshëm për shëndetin e qytetarëve të Elbasanit.
“Kjo ngjarje ka ndodhur aksidentalisht nga një bateri që është ndodhur në thellësi të grumbullit të skrapit. Nga shkëndija që ka marrë atje, në orën 10:25 ka dhënë një shkëndijë tymi në lartësinë e skrapit. Unë mendoj se kjo ngjarje aksidentale është një fatkeqësi për 'Kurumin” dhe të gjithë ne. Momentalisht po digjen materiale plastike, të cilat ndodhen brenda skrapit. Tymi që çlirohet padyshim është i dëmshëm për shëndetin, por nuk është bërë qëllimisht. Është hera e parë që ndodh një ngjarje e tillë. 95% e flakëve në zonë u vu nën kontroll, por nga një shpërthim i një bombule gazi ndodhi një shpërthim që shkaktoi flakë në një tjetër zonë të skarapit,"-tha Çipi.
Flakët kanë më shumë se 8 orë që janë aktivizuar, por ende nuk janë vendosur nën kontroll. Nëse për zjarrfikësen, shkaku i zjarrit është ende herët që të zbulohet, Policia e Elbasanit ka vepruar ndryshe. Sipas tyre, flakët kanë nisur nga një shkëndijë, kjo e krijuar nga fërkimi i mbetjeve metalike tek depozitimi, para se metalet të hyjnë në furrën e hekurit. Por hetimet ende vazhdojnë./Zëri.ai