Aktualitet

I thyen këmbën 3-vjeçares duke e dhunuar, kopshti ‘Stinët’ vijon aktivitetin normalisht

Asnjë person nuk është vënë në pranga, ndërkohë që aktiviteti në kopshtin ‘Stinët’ vijon normalisht

E.K
I thyen këmbën 3-vjeçares duke e dhunuar, kopshti
Kopshti ku ndodhi dhunimi i 3-vjecares

TIRANË- Zëri.ai ka shkuar mëngjesin e sotëm pranë kopshtit privat “Stinët” që ndodhet në rrugën “Kushtrimi i lirisë” në kryeqytet, në të cilin u dhunua një vajzë 3-vjeçare, ku si pasojë të miturës i është thyer këmba, dhe ndodhet në spitalin e Traumës ku do t’i nënshtrohet dhe një ndërhyrje kirurgjikale.

Në këtë kopsht vijon ende aktiviteti normalisht, siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga gazetarja e Zëri.ai, Florida Mingla. Gjatë ditës së sotme, pas publikimit të lajmit në emisionin Stop, në afërsi të kopshtit kanë qenë disa punonjës policie, por nuk dihet ende nëse prania e tyre lidhet me shoqërimin e edukatores që ka dhunuar të miturën apo drejtoreshës së kopshtit.

Ekspertë të fushës hodhën dyshime mbrëmjen e djeshme se rasti në fjalë mund të jetë tentuar të mbulohet nga mjekësia ligjore, dhe nga Komisariati i Policisë Gjyqësore, të cilat nuk kanë vepruar siç e parashikon ligji për rastin në fjalë. Pavarësisht denoncimit të familjarëve, ekspertët e mjekësisë ligjore, nuk kishin shkuar në spitalin e Traumës për të parë gjendjen e vajzës së dhunuar, ndërkohë që fillimisht prindërve iu ishte thënë nga drejtoresha e kopshtit se 3-vjeçarja ishte pickuar nga ndonjë inskekt.

Dhunimi i të miturës, referuar dhe pamjeve filmike është kryer rreth orës 10 të paradites, ndërkohë që prindërit janë njoftuar vetëm në orën 15:00 pasi këmba e vajzës kishte pësuar shumë enjtje.

Denoncimi i babait të vajzës: Ka qenë data 1 Nëntor 2023. Vajza u çua nga ime shoqe në orën 8 e 20 dhe ne ikëm në punë siç çdo ditë. Kur e çuam vajzën në mëngjes ishte në rregull, si çdo ditë tjetër. Në orën 3, njoftohet nusja që “hajde merre vajzën sepse ka dhimbje tek këmba dhe po grindet, diçka e ka pickuar”. Nusja niset direkt dhe kur mbërrin aty, goca ishte futur poshtë një tavoline. Këmba ishte e enjtur dhe ishte fryrë sa koka e vajzës.

Nusja kishte ndeshur edukatoren dhe drejtoreshën të cilat po e prisnin duke qarë. Thoshte me veten e vet se “çfarë i kam bërë unë vetes”. Nusja nuk e pati mendjen në ato momente se çfarë po ndodhte me edukatoren, por pa edhe drejtoreshën duke qarë dhe drejtoresha i tha që “hajde të hipim në makinë dhe ta çojmë direkt në pediatri”. U nisën në pediatric dhe më mori nusja direkt në telefon dhe më tha që po ikim në pediatri.

Kur shkova, mora fëmijën dhe u shokova kur i pashë këmbën që ishte e enjtur në një gjendje skandaloze. Më pas morëm letrën e hyrjes që ta kontrollojë mjekja dhe kur mjekja pa tha “që nuk është rast për mua, ka diçka tek këmba dhe nuk di të ju kthej përgjigje. Ju sugjeroj që të shkoni tek “Ushtaraku”. Kur mbërritëm në Urgjencën e “Ushtarakut”, u futëm brenda dhe kërkuam ndihmën e shpejtë dhe aty dolën mjekët që ishin specialist të kësaj fushe dhe në momentin që i bënë grafinë, grafia doli në një thyerje shumë të keqe, ishte thyer këmba, pjesa e kofshës në një gjendje skandaloze.

/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB